Berisha: Partia e Ramës do ndahet më keq se e njëjta parti e Ramiz Alisë. Do vendosim minimumin jetik 200 euro, paga minimale do jetë ...

Në datën e 80-të të lindjes së tij, ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mban një bashkëbisedim virtual me shqiptarët.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS

Përshëndetjet më të përzemërta të gjithëve ju që na ndiqni në këtë komunikim në rrjetet sociale me miqtë e mi. Unë zgjodha si momentin më kryesor të ditëlindjes sime, 80-vjetorit, komunikimin me miqtë e mi në rrjetet sociale.

Udhëtimi në 8 dekada dhe ngjitja në majën më të bukur të jetës sime, ngjall më shumë se çdo gjë tjetër mirënjohjen e pakufishme ndaj qindra mijëra, por edhe miliona shqiptarëve, që gjatë gjithë këtyre viteve, me mbështetjen e tyre, kanë qenë frymëzim i pashtershëm për mua.

Vitet natyrshëm kanë peshën e tyre, por asgjë nuk i bën ato më të parëndësishme, më të lehta se sa motivimi i njeriut, frymëzimi i tij. Në këtë kuadër, unë dua t’u siguroj se mbështetja juaj ka qenë frymëzimi më i madh për mua.

Ka qenë motivimi më i fuqishëm dhe në disa aspekte vetë ky udhëtim në 8 dekada, ka pasur momente kur ju me besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë, keni rrezikuar, keni treguar veten guximtarë, keni treguar veten njerëz të parimeve dhe idealeve të vërteta njerëzore. Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira.

Keni mbështetur Sali Berishën edhe kur ajo kishte një çmim. U ndala për të thënë këto vetëm e vetëm për të theksuar se sa mirënjohës, se sa borxhli, sa i motivuar dhe i frymëzuar ndjehet Sali Berisha sot në këtë majë të 8 dekadave udhëtim.

E bukur shumë, ua them ju. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet, por ne bëmë një betejë atëherë kur nuk e prisnin.

Një mik i imi francez në një libër lavdëron trimërinë e orës 2 të mëngjesit. E pyeta mikun tim, pse e ke veçuar trimërinë e orës 2 të mëngjesit. Sepse ora 2 e mëngjesit është ora e befasisë më të madhe dhe që ai arrin të reagojë në ora 2 të mëngjesit, ai përballon çdo befasi. Të tillë ishit ju.

Ndodhi ajo që asnjë nga ne nuk e imagjinonim. Qeveria shqiptare me mafien më të rrezikshme të Xhorxh Sorosit, u angazhuan në një aksion puçist, në një grusht të vërtetë shteti kundër demokracisë në Shqipëri.

Them grusht shteti, normalisht grushtet e shtetit bëhen për të përmbysur qeveritë, por në Shqipëri dhe ndonjë vend tjetër ka ndodhur që janë bërë për të përmbysur opozitat.

Për t’i shndërruar ato në kukulla.

Për t’i kontrolluar ato për qëllime, për të ndihmuar qeverinë apo qëllime të tjera.

Por një vend kurrë, siç e dimë ne që përjetuam diktaturën, sovranitet i brendshëm nuk ekziston pa opozitë të vërtetë.

Në këtë kontekst, ju miqtë e mi, mbështetësit e mi të dashur, në një akt heroik do të thosha, me një besim të palëkundur, u ngritët absolutisht që të gjithë pa përjashtim pro-amerikanë, por përsëri Amerika është e madhe, për ju dhe për mua, e vërteta është më e madhe.

Kështu që nuk mund të pajtoheshit ju me individë të korruptuar të papërgjegjshëm që ju rikujtonin barin e Enver Hoxhës.

Nuk mund të pajtoheshit ju me ata që bënin persekutorin publik në një vend tjetër.

U ngritët në ora 2 të mëngjesit, siç e thotë miku im.

Reaguat, reaguam për të mbrojtur interesat më jetike të këtij vendi, për të mbrojtur pluralizmin politik, për të mbrojtur demokracinë.

Kjo betejë ishte më e vështira që një opozitë ka bërë ndonjëherë në Europë, por edhe më e suksesshmja.

Ne e fituam betejën tonë, ne ecim të sigurt drejt fitores përfundimtare.

Kurse atyre që ndërmorën grushtin e shtetit në një vend anëtar të NATO-s, do u mbetet turpi i historisë.

Shqipëria do ngrihet përsëri.

Ju me mbështetjen tuaj u shndërruat në shtyllën kryesore energjie dhe frymëzimi për mbarë shqiptarët në rrugën e tyre drejt demokracisë, lirisë, prosperitetit, integrimit.

Edhe njëherë, mirënjohja më e pakufishme ndaj jush.

Ndjehem shumë krenar me mbështetjen e secilit prej jush.

Në qoftë se më pyet, sigurisht që unë e kam menduar.

Jam angazhuar në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 kundër një diktature, e cila ishte e egër, e cila ekzekutonte të rinjtë në kufi, por prapë se prapë ishte në rënie të pashmangshme.

Pas saj, me të gjithë përpjekjet e mia, jam përpjekur që Shqipëria të mos jetë më ajo që ishte.

Dhe unë mendoj se Shqipëria njohu kuantum lipe të vërteta, një vend që vinte nga honet e varfërisë dhe mjerimit njerëzor si vendi i tretë më i varfër i planetit, doli në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

U anëtarësua në NATO.

Ecte me program të sigurt drejt procesit të anëtarësimit në BE.

Të gjitha këto, përbënin për mua disa rezultate, apo disa gurë kilometrikë në udhëtimin tim.

Por dua të jem i sinqertë, ajo që ndodhi në vitin 2021, ajo ishte një thirrje e brendshme, një thirrje genuine e shqiptarizmit në shpirtin e Sali Berishës.

Duhet të qëndroja ndaj atyre të cilët u përpoqën jo të godasin një njeri, absolutisht, u përpoqën nga pozita korruptive majtiste, të fshijnë një histori të kombit tim 30-vjeçare.

Në këtë kontekst, mendoj se me veprimtarinë time është ky një nga shërbimet më të mëdha që e bëj për kombin tim që unë e adhuroj.

Nuk mundet kurrë të pranoja unë, që isha votuar nga ky popull më shumë se kushdo tjetër në 30 vite, të damkosesha për të turpëruar ata, ndaj dhe deklarata ime ishte e thjeshtë: kur të gjendet një dokument i vetëm, një provë e vetme e korrupsionit të Sali Berishës, largohem përfundimisht nga politika.

Nisa betejën, sot ku jemi?

Sot, pas katër vitesh hetime intensive, shterruese nga mercenarët dhe vetingut 30-vjeçar, u konkludua se nuk kishte shkelur kurrë ligjin.

U konkludua se njeriu i vetëm, njerëzit e vetëm të cilët kishin paguar për Sali Berishën, ishin vajza e tij, ishte dhëndri i tij.

U konkludua se në asetet e tij, ai kishte 100 mijë euro, pas 54 viteve punë, dhe një apartament 40 metra më të madh se ai ka pasur në diktaturë.

Natyrisht, ju që më besuat në fillim, i kishit shumë të qarta këto.

Por të gjithë të tjerët kishin të drejtë të dyshonin duke e ditur se kjo akuzë absurde vinte nga kryediplomati i botës.

Sot pas 4 vitesh, çdo njeri që përtyp mashtrimet e tij, i them kontrollo xhepat e tu. Është e vërtetë që në republikën e Xhorxh Sorosit, jo Xhorxh Oruellit, drejtësia u shndërrua në degë të ekzekutivit.

Por është e vërtetë që PD beson në një drejtësi të pavarur.

Beson në një drejtësi që zbaton ligjin dhe Kushtetutën.

Në këtë kontekst, ne jemi të angazhuar në një betejë pa kthim të mosbindjes civile për krijimin e një qeverie teknike në mënyrë që shqiptarët të mund të votojnë të lirë, me bindjen më të thellë se me zgjedhje të lira, partia e krimit të Edi Ramës do ndahet më keq se e njëjta parti e Ramiz Alisë në vitin 1992.

Pra, është në dorën e demokratëve, të PD dhe opozitës, që në këtë betejë të rikthejë votën e lirë, të garantojë rotacionin dhe normalizimin e Shqipërisë. Ajo që ndjej unë sot më shumë se çdo gjë tjetër në këtë vend janë sirenat e mjerimit.

Pavarësisht nga kullat dhjetëra katëshe.

Pavarësisht nga lumenjtë e veturave.

Pavarësisht nga lustra e televizioneve.

Përsëri u garantoj ju dhe të gjithë ata që janë në nevojë se asgjë nuk mendoj më shumë se sa gjendjen e tyre.

I garantoj se ndërhyrja do të jetë emergjente.

E kam theksuar dhe theksoj, akti i parë do jetë vendosja e minimumit jetik, i përllogaritur nga Avokati i Popullit, prej 200 eurosh.

Do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 euro.

Do të jetë asnjë pension ndën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera.

Do të jetë synimi që të dalim përsëri në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet.

Do të jetë heqja e menjëhershme e TVSH-së për të gjitha ushqimet.

Nuk ka gjë më të dhimbshme kur kujton se një pensionist me 100-130 euro, u drejtohet dyqaneve dhe blen ushqime me çmime më të shtrenjta se italianët, gjermanët, francezët.

Pra, kjo do marrë fund.

Është jetike kjo paketë që unë paraqes para shqiptarëve.

Mund të ketë njerëz që thonë ky i ka për politikë këto. Gabojnë. Në mënyrë absolute e kam nga bindja ime më e thellë se në këtë vend të bekuar, me këto pasuri që ka, nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për kafshatën e gojës.

Nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për ilaçet, për mjekimet.

Sigurisht rëndom më shtroni pyetjen se ku do merren paratë?

A do e bëja unë një premtim të tillë nëse nuk do isha 100 përqind i sigurt nëse nuk do e bëja?

Kurrë nuk do e bëja.

Por jam 100 përqind i sigurt, madje edhe këtë vit nëse PD do ishte në pushtet.

Ku merren paratë?

8 miliardë euro është buxheti i këtij viti, rreth 800 milionë euro është fondi i pagave të administratës. Pra, mbetem 7.2 miliardë euro.

Unë zotohem 100 përqind se këta hajdutë, pa ndjenja ndaj shqiptarëve, ndërtojnë një rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci.

Unë informoj shqiptarët se autostrada me 4 korsi dhe me ndriçim Lushnje-Fier është ndërtuar me 1 milion dollarë kilometri.

Kurse këta ndërtojnë rrugë 10 milionë euro, 15 milionë euro.

Është inauguruar rruga Shëngjin-Velipojë dhe është trefishuar çmimi në mënyrën më të pacipë.

Kjo sepse vidhet!

Rruga Tiranë-Plepa, një rrugë 37 kilometra, kjo rrugë nuk mund të shpenzohen më shumë se 700 mijë euro për kilometër. E parashikuan 40 milionë, e rritën në 90 milionë.

Në çdo projekt të tyre mund të ndash për kafshatën e qytetarëve të paktën 60-70 përqind të parave që vidhen.

Pra, nuk ekziston ndjenja.

U tha pensionistëve, do ta mbyll me këtë, me qëndrimin më cinik që mund të mbahet ndonjëherë, u tha pensionistëve që do ua rrisim pensionet në mars.

Çfarë bëri? Ua indeksoi 4 përqind në tetor. Po sa ishte inflacioni? Ishte 9.4 përqind për ushqimet. Pra, jo vetëm nuk u indeksuan pensionet, por çdo pensionist shkon tani në dyqan dhe blen më pak se një vit më parë.

Kjo do të marrë fund.

Unë do isha i gatshëm të ndërprisja çdo punë publike dhe të ktheja paratë te qytetarët, por nuk ka nevojë në mënyrë absolute, ka nevojë të mos vidhet, të mos vidhet, të mos vidhet.

Gërshërët e ligjit do presin duart e hajdutëve, cilido që të guxojë të prekë paratë publike.

KONFERENCA E BERISHES