Një serial për drejtësinë, regjisori Doga: Puna e një filmi i lidh shumë njerëzit. Mesazhi i filmit është shumë i fortë
Pas suksesit në Tiranë, episodi i parë i serialit “Prokurori” me regji të Fatmir Dogës dhe producentëve Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, u shfaq edhe në Prishtinë.
Ky serial vendos në qendër luftën kundër krimit dhe korrupsionit politik, duke trajtuar tema të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.
Regjisori Fatmir Doga në studion e lajmeve në “Ora News” foli mbi pritjen e këtij seriali, mesazhet dhe personazhet.
“E them pa frikë, është eksperienca më e bukur e jetës time.
Filmi ka disa misione, aktrimin, të përcjellë disa mesazhe, por mbi të gjitha është që t’i bëjë njerëzit bashkë.
Te salla e Operas dhe Baletit u bënë mbi 1 mijë veta bashkë dhe të vijnë aty të ndajnë dashurinë për punën që ti ke bërë, aty për aty e merr ndjesinë që ata e kanë pritur shumë mirë. Dhe akoma jam si i mpirë nga pritja që iu bë.
Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë ajo që është e njëjtë është dashuria. Aty i kam parë që ata janë të tronditur nga puna e mirë e filmit. Unë jam përpjekur që të mos dalin shumë video në qarkullim dhe realisht jam ndjerë shumë mirë.
Mesazhet e filmit? Artisti ka një mision shumë të rëndësishëm dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që realitetin ta pasqyrojmë ashtu siç është. Edhe realitetin që është i zi, ne nuk duhet ta bëjmë fallso të zi, por e lëmë ashtu siç është. Por gjithmonë ti duhet të përçosh mesazhin se nga do ikim.
Nuk mund dot kurrë të dominojë e keqja, të ishte ndryshe atëherë duhet të ishim zhdukur. Dhe mesazhi është shumë i fortë ku e mira do të triumfojë dhe drejtësia do të vendoset në Shqipëri, sepse shqiptarët janë populli më i vjetër i Evropës, kanë pasur drejtësi mijëra vite më përpara që në kohën e Ilirisë, dhe drejtësi do të ketë pavarësisht kohë që po kalojmë.
Drejtësi do të ketë sepse jemi ne që e bëjmë atë, dhe nuk vjen nga qielli kjo”, u shpreh ndër të tjera regjisori Fatmir Doga.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME REGJISORIN E SERIALIT “PROKURORI” FATMIR DOGA


