Çmimi Nobel për Paqen, një kujtesë në kohë për banorët e Hiroshimës

Ashtu si grupit të të mbijetuarve që iu dha çmimi Nobel për Paqen, edhe banorët e Hiroshimës shpresojnë se bota nuk do t’i harrojë kurrë bombardimet atomike të vitit 1945.

Susumu Ogawa ishte pesë vjeç më 6 gusht 1945 kur bomba gati sa nuk e fshiu këtë qytet perëndimor japonez dhe shumë anëtarë të familjes së tij ishin në mesin e 140 000 viktimave.

“Nëna ime, tezja ime, gjyshja ime dhe gjyshi im vdiqën në bombardimin atomik”, tha  Ogawa, një ditë pasi grupit të të mbijetuarve ”Nihon Hidankyo” iu dha çmimi Nobel për Paqen.

Tani 84 vjeç, ai vetë ka pak kujtime, por kujtimet që mblodhi më vonë nga të afërmit e mbijetuar dhe të tjerë pikturuan një pamje jo aq të paqtë.

“Gjithçka që ata mund të bënin ishte të evakuonin dhe të shpëtonin jetët e tyre, ndërsa panë njerëz të tjerë duke humbur në ferr, menjëherë pas bombardimit”, tha ai.

“Të gjitha armët bërthamore në botë duhet të braktisen, ne e dimë tmerrin e armëve bërthamore, pasi e dimë se çfarë ndodhi në Hiroshima”, shton Ogazwa.

– Ground Zero – 

Në këtë të shtunë me diell, shumë turistë dhe banorë po shëtisnin në Parkun Memorial të Paqes në Hiroshima kushtuar 140 000 viktimave të bombës.

Skeleti i një ndërtese të përcaktuar si Ground Zero dhe një statujë e një vajze me krahë të shtrirë janë kujtimet prekëse të shkatërrimit.

”Me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, bota po përballet me kriza që ne nuk i kemi njohur që nga Lufta e Dytë Botërore për sa i përket armëve bërthamore”, shpjegon Kiyoharu Bajo, pensionisti 69-vjeçar.

Historitë e treguara nga grupi ”Nihon Hidankyo” për “hibakusha”-t, siç quhen të mbijetuarit e bombardimeve në Hiroshima dhe Nagasaki, “duhet të jenë të njohura për të gjithë botën”, shton ai.

Ai tha gjithashtu se shpresonte se çmimi Nobel do të ndihmonte “përhapjen e mëtejshme të përvojave të të mbijetuarve të bombës atomike në mbarë botën”, veçanërisht duke i bindur njerëzit të vizitojnë Hiroshimën.

– Indiferenca –

Për Kiwako Miyamoto, 65 vjeçe, ky çmim Nobel “është një gjë e mirë, sepse edhe këtu disa banorë janë indiferentë” ndaj bombardimeve të Hiroshimës.

“Në Hiroshima, ne lutemi më 6 gusht dhe fëmijët shkojnë në shkollë” për t’u edukuar për paqen, “por u habita kur pashë se jashtë Hiroshimës, disa njerëz nuk e dinë mirë” datën e bombardimit të Hiroshimës, thotë ajo, ndërsa gëzohet kur sheh “shumë turistë të huaj që vijnë për të mësuar”.

Ashtu si shumë banorë të Hiroshimës dhe Nagasakit, Miyamoto personalisht njihte shumë hibakusha ose pasardhës të tyre që vuajtën nga bombardimet atomike.

Mosha mesatare e ”Nihon Hidankyo”, grupi i të mbijetuarve të bombardimeve bërthamore amerikane, është më shumë se 85 vjeç dhe numri i të mbijetuarve nga bomba atomike është në rënie.

Banorët e Hiroshimës thonë se arsimimi është thelbësor për të kujtuar hibakusha-t dhe për të ndihmuar në ndërtimin e paqes botërore.

“Kam lindur 10 vjet pas hedhjes së bombës atomike, kështu që kishte shumë të mbijetuar rreth meje dhe këtë tragjedi e ndjeva si diçka të njohur për mua, por në të ardhmen do të jetë problem” të di se si do të vazhdojë brezi i ri për të ruajtur kujtimet e hibakushës”, thotë Miyamoto.