VIDEO/ Erdogan dhe Rama mbërrijnë tek xhamia e Namazgjasë, presidenti turk pritet me ovacione dhe lule nga qytetarët
Xhamia e Namazgjasë në Tiranë përurohet pasditen e sotme në një ceremoni të veçantë ndërsa shumë besimtarë presin nisjen e ceremonisë që prej disa orësh.
E cilësuar si një stoli, kjo xhami është financim i qeverisë turke ndërsa ka një kapacitet për 5000 persona.
Në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Namazgjasë kanë ardhur në fillim Rama dhe më pas Erdogan, me presidentin tukr që është pritur me lule nga besimtarët e shumtë.
Pranë xhamisë së Namazgjasë ndodhen besimtarë të shumtë myslimanë, qytetarë si dhe turistë të huaj. Me aparatet fotografikë apo edhe telefona ata fiksojnë xhaminë, e rrethuar nga flamujt shqiptarë dhe ata turq.
Me ndërtimin e xhamisë Tiranës dhe veçanërisht komunitetit mysliman i është shtuar një aset i shenjtë.
Kryeministri Edi Rama tha sot se “Xhamia e Namazgjasë do të hyjë në koleksionin e xhamive më të bukura të ndërtuara në kohët moderne”.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe rreth 10,000 m2, duke përfshirë katër minare me një gjatësi prej 50 metrash dhe një kupolë qendrore të stilit klasik turk, e cila arrin një gjatësi prej 30 metrash. Kati i parë i xhamisë do të ketë një qendër kulture, sallë konferencash, bibliotekë, sallë ekspozitash, restorante, dhoma pune dhe dhjetë klasa për studimin e fesë islame dhe Kuranit.
Kjo xhami nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks shumëfunksional, që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.
