VIDEO/ Presidenti i Shqipërisë i ankohet presidentit të Turqisë për kryeministrin e Shqipërisë!
Nuk dihet se nëse prej naivitetit apo prej budallallëkut Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj iu ankua Presidentit të Turqisë Erdogan për Kryeministrin e Shqipërisë, që “nuk po i jep fonde për zyrat”, por e gjitha sa ndodhi në bisedën mes tyre në hollin e selisë së Presidentit të Shqipërisë është dëshmi e një budallallëku pa brirë.
Ndërsa qesh pa asnjë shkak e habitshëm, Bajrami ynë President flet për rreth 600 metër katror sipërfaqe zyrash dhe se “po i them Edit se kemi nevojë për një ndërtesë tjetër”, por që nga sa la të kuptohet Edi (kupto: Kryeministri), ende nuk i është përgjigjur.
Shprehja popullore “Lypa marren ka por pa gja nuk të len” në rastin e Bajramit tonë nuk ka vlerë se ajo sjellje e pa dinjitet e qesharake na la vetëm marren faqe botës.
Le të mendojmë për një çast se nuk ka ndonjë gjë të keqe që të kërkosh ndihmë për të rregulluar zyrat e Presidentit të Republikës. Por a bëhen këto muhabete në korridor? A nuk ka kanale të tjera komunikimi konfidencial e diplomatik për t’i konsumuar të tilla biseda?
Mirëpo nga t’i dijë Bajrami ynë President të gjitha këto? Ndaj, në vend të përgjigjes na vjen në mend shprehja: “Stambolli digjet, Bajrami krihet”.

