Frika nga Opozita apo vizita e Erdogan në Tiranë? Kuvendi anulon seancën plenare
Kuvendi anulon seancën plenare! Burime bëjnë me dije se zyra e shtypi e kryeparlamentares Spiropali ka njoftuar shtyrjen e seancës për ditë tjetër, teksa ka vënë në dijeni edhe grupet parlamentare.
Vendimi për ditën e nesërme vkjen ne nje kohe qe ishte paralajmëruar edhe aksioni i radhës i PD-së në parlament me deputetët që po tentonin sërish kaosin si dy seancat e shkuara.
Ndërkaq po nesër Tiranën do e vizitojë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili pritet të inaugurojë edhe xhaminë e Namazgjasë, godinë që ndodhet vetëm pak nga ajo e parlamentit shqiptare.
Zyrtarisht nuk dihet nëse kjo ka qenë arsyeja e anulimit të zhvillimit të seancës plenare, apo frika nga aksioni politik i opozitës.
Kuvendi me një njoftim zyrtar lidhur me anulimin e kësaj seance, nuk ka dhene arsye per kete vendim, ndërkohë disa prej deputetëve të mazhorancës, së bashku me kryeministrin dhe ministrat do të jenë në pritjen e presidentit turk Erdogan.
NJOFTIMI I KUVENDIT
Të nderuar kolegë,
Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 10 tetor, është anulluar dhe do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit.
(Bashkangjitur Urdhër nr. 71, datë 09.10.2024, i Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali.)
Faleminderit!

Por deputeti demokrat Tritan Shehu thekson se anulimi i seancës së nesërme plenare pa asnjë arsye është thjesht shenjë frike që ka mazhoranca ndaj opozitës.
“Regjimi nesër “kyç” Parlamentin! Sepse si te gjitha regjimet ka frike nga Parlamenti, nga opozita. Tashti, në orët e vona të natës, vjen një njoftim arbitrar, nga errësira e regjimit.
Nesër nuk do ketë seancë plenare parlamentare! E pa imagjinueshme kjo për një vend, që aspiron të jetë pjesë e BE-së, që respekton së paku formalisht rregullat e demokracisë e parlamentarizmit.
E përshtatshme kjo për ato regjime Lindore, që trajtojnë hapur me arrogancën e tyre edhe Parlamentet. Sepse në fakt ka disa prej tyre, që disa forma përpiqen t’i ruajnë….
Ndërsa ky i yni në Tiranë po ja kalon edhe “sulltanateve” në shkatërrimin edhe të parimeve më elementare e sipërfaqësore të demokracisë.
Duke filluar nga nëpërkëmbja e çdo koncepti, të drejtë, rregulli, ligji a Kushtetutë për Parlamentin. E çdo parimi evropian. Sepse ky regjim fytyrën e ka të kthyer veçse nga Lindja!
Por harron se shqiptarët kanë fytyrën e gjoksin drejt Evropës e Perëndimit. Dhe janë të vendosur, si paraardhësit tanë, të përballen pa rezerva me këtë regjim për të ecur në drejtimin tonë, të një rëndësie ekzistenciale për ne”, thekson deputeti Tritan Shehu.


