Osmani në Dubrovnik, konfirmon mbështetjen për Ukrainën në luftë kundër Rusisë

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, po përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, në Dubrovnik.

“Në Samitin e liderëve Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik për ta riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri”, ka shkruar Osmani.

Në këtë samit, presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri kroat Plenkoviq dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa do t’u bashkohet liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore në seancën plenare.

Gjatë këtij samiti, pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën.

Përveç pjesëmarrjes në seancën plenare ku presidentja do të mbajë një fjalim, ajo do të zhvillojë takime edhe me homologët e saj.

Kryeministri Edi Rama ndodhet gjithashtu në Dubrovnik, ku do të marrë pjesë në Samitin “Ukraina-Europa Juglindore”.

Në samit marrin pjesë zyrtarë të lartë nga 12 vende të rajonit, përfshirë tre presidentë, pesë kryeministra dhe katër ministra të Jashtëm.

Pikat kryesore duhet të përfshijnë dënimin e agresionit rus, mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, mbështetjen për planin e paqes të presidentit Zelensky, integrimin evropian të Kievit dhe anëtarësimin në NATO, kur kushtet ndërkombëtare dhe të brendshme të Ukrainës do ta lejojnë.