“Dita e fitores”, Braçe ironizon thirrjet e Berishës: Si kuptoj si do vdesin, ata që vrisnin nuk janë më

Kreu i PD Sali Berisha ka bërë një tjetër reagim në rrjetet sociale kur ka mbetur edhe një orë nga nisja e protestës së opozitës.

Ai e ka cilësuar ditë historike këtë të hënë, duke shtuar se nga sot nis rrugëtimi drejt fitores, ndërsa fton shqiptarët të bashkohen të gjithë në protestë.

"Sot është një ditë historike për të gjithë ne. Sot nis rrugëtimi ynë drejt fitores. Të gjithë së bashku kundër narko-qeverisë."

Pas Berishës ka ardhur dhe një reagim i deputetit socialist Erjon Braçe, i cili me ironi shkruan se nuk i kupton këto thirrjet për vdekje dhe vrasje, pasi ata që vrisnin nuk janë më në pushtet.

"Po i dëgjoj dhe është e paqartë. Kur këta thonë “sot është për Jetë a vdekje”, mund të na thonë se si do vdesin këta?! Se me thënë të drejtën, këta nuk do kush t’i vrasë; protestuesit çdo herë i kanë vrarë këta, askush tjetër. Sot në orën 18.00 opozita do të nisë protestat për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndryshe nga tradita e krijuar, fjalime politike nuk do të ketë dhe marshimi do të nisë nga godina e qeverise për tu shtrirë në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Ende nuk dihet se cilat akse do të bllokojë opozita në mbrëmje dhe PD ka zgjedhur të mos e tregojë skenarin e protestës duke u mjaftuar me shprehjen që në 7 tetor fjalën e kanë qytetarët.

Së bashku me PD në shesh do të jenë edhe aleatët e saj, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule, ndërkohë që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të marrin pjesë, pasi besojnë se kjo nuk është strategjia më e mirë kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Protesta e 7 tetorit u caktua pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji, por nisja e revoltës ishte paralajmëruar më herët nga Partia Demokratike e cila thotë se me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye opozita ka paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e liderit të mazhorancës dhe krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje.

Në 11 vitet e fundit PD ka provuar disa aksione radikale kundër qeverisë Rama dhe mazhorancës socialiste duke nisur nga çadra që zgjati 3 muaj para kryeministrisë në vitin 2017 deri tek djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale e qindra protesta kundër qeverisë. Mbetet për t’u parë nëse ky aksion i ri do t’i sjellë apo jo opozitës fitoren përballë PS dhe Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare."