''Mbreti'' i peshqve rrit çmimin/ Shtohet kërkesa për Koranin, peshkatarët e shesin për 3000 lekë/kg

Kërkesa e lartë për Koran, por edhe sasia e paktë në verë ka sjellë rritjen në maksimum të çmimit të peshkut në Pogradec.

E gjithë kjo ka ardhur për shkak të kërkesave në rritje në treg dhe restorantet e Pogradecit, por edhe nga tregtarët që furnizojnë qytete të tjera dhe madje edhe shtete fqinje.

Sipas Martin Jaçe, çmimi për një kilogram koran ka shkuar deri në 3000 lekë.

‘’Po si në çdo produkt tjetër kur ndryshojnë çmimet, kështu ndodh edhe me Koranin.

Është rritur kërkesa, ka pasur tërheqje më shumë të lokaleve e restoranteve të zonës për shkak të turizmit’’.

Eduart Likollar, pronar i një restoranti buzë liqenit të Ohrit, thekson se për shkak të çmimeve të larta nga peshkatarët, edhe ata janë detyruar të rrisin çmimin e pjatave tradicionale me Koran.

‘’Sigurisht që ka pasur një rritje të çmimit të Koranit.

Kjo bazuar edhe nga mungesa në treg e tij si pasojë sepse edhe kërksesa ka qenë shumë e lartë. Për këtë arsye çmimi ka qenë i lartë.

Një kilogram Koran i gatuar tek ne ka shkuar deri në 5 mijë lekë të reja’’.

Përveç kërkesës së lartë, edhe temperaturat e larta të verës që lamë pas kanë ndikuar negativisht në sasinë e peshkimit. Emiljano Hasa shpjegon se temperaturat e nxehta i shtyjnë peshqit në thellësi, duke e bërë më të vështirë peshkimin.

Krahasuar me vitin e kaluar, ku çmimi për një kilogram koran ishte 2000 lekë, këtë vit ky çmim ka pësuar një rritje të konsiderueshme, duke variuar nga 3000 deri në 3500 lekë për kilogram.

Për shumë restorante, kjo rritje ka përfaqësuar një sfidë, pasi ata janë përballur me dilemën se si të menaxhojnë çmimet në mënyrë që të ruajnë konkurrencën në treg, por gjithashtu të mbulojnë kostot e larta të blerjes së peshkut