Nisja e vitit të ri akademik/ Qiraxhi: 80% e studentëve në kryeqytet, konviktet nuk mbulojnë më shumë se 8%...
Këtë të hënë nis dhe viti i ri akademik 2024/25 në Universitetet e Shqipërisë.
Për të folur se si i gjen universitetet ky vit i ri dhe për problemet që vazhdojnë të jenë ekzistente në vendin tonë për studentët, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte Migen Qiraxhi nga "Qëndresa Qytetare".
"Një student i vetëm absolutisht nuk mund ti përballojë. Kostot që bëhen fjalë janë akomodimi. Në kryeqytet ndodhen 80% e studentëve. Po të vini re, kryesisht universitetet publike ndodhen ose në qendër të kryeqytetit ose shumë pranë qendrës. Ka disa që janë edhe në periferi por ato janë kthyer në zona që janë ekskluzive dhe të shtrenjta.
Konviktet nuk mbulojnë më shumë se 8% të studentëve që studiojnë në kryeqytet. Ka disa rezidenca siç është 'Qytet Studenti', 'Bujqësori', 'Konviktet e Mjekësisë', të cilat nuk kalojnë 8%. Gjithmonë kemi pasur premtimet apo imazhet e famshme 3D të cilët qeverisësit i reklamojnë. Por e rëndësishme është që 2018, kur kanë pasur studentët protestën, ajo që kryeministri dhe qeveria premtoi ishte se do të kishim 5 kampuse", tha Qiraxhi.
