Guxholli: Indeksimi i pensioneve i pamjaftueshëm, rritja e çmimeve është shumë e madhe! Rritja e pensioneve në këtë 10-vjeçar është në shifra mjerane
Nga data 1 tetor ka nisur efektet vendimi i qeverisë për indeksimin e pagës pët pensionistët shqiptarë.
Por për të kuptuar se sa lekë përfitojnë konkretisht të moshuarit me këtë indeksim prej 4.1 për qind në studion e lajmeve në “Ora News” ishte ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli.
“Çdo rritje sado e vogël të jetë është lajm i mirë, por duhet të kuptohet se si kjo rritje përkthehet në xhepat e pensionistëve.
Sipas INSTAT-it një pensionist quhet i varfër kur pensioni i tij është më i vogël se gjysma e pagës mesatare të vendit.
Ne e kemi pasur këtë shifër në vitin 2018 në 31 %, ndërsa në vitin 2023 kjo u ul në 26 %, pra tendenca është në ulje.
Sepse rritja e pensioneve nuk është e mjaftueshme, pra është vetëm indeksim dhe rritja e çmimeve është shumë e madhe.
Dhe indeksim do të thotë që rritja të jetë në proporcion me atë të çmimeve, nëse nuk e bën këtë, pensioni ulet.
Dhe ti si shtet duhet të bësh minimumi që të mbash në të njëjtin nivel që të njëjtat ushqime të sigurohen me këtë rritje pensioni.
Pra, shtetit i intereson që të mos ulet fuqia blerëse.
Nga viti 2014 deri tani ëhstë bërë një rritje mjerane e pensioneve në këtë 10-vjeçarin e fundit.
Kovidi detyroi qeverinë që të marrë masa dhe e bëri një rritje të plotë me 8.6 % por ishte një rritje në limite e asaj çfarë kishin rënë pensionet në vitet e mëparshme.
Këtë vit indeksimi është 4.1 % dhe nëse një pension prej 10 mijë lekësh të reja vitin e kaluar u rrit me 860 lekë të reja, këtë vit një pension me indeksimin e fundit rritet me 410 lekë të reja.
Pra, maksimumi i rritjes për pensionet e reja shkon në 15 mijë lekë të vjetra dhe vetë ekspertët e pranojnë se është një rritje e pandjeshme”, u shpreh ndër të tjera në analizën e saj Suzana Guxholli, eksperte ekonomie.


