Ekonomia u rrit me 3.94 % në gjysmën e parë të vitit

Ekonomia u rrit me 4.06 % në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të dhënat e rishikuara me metodën e prodhimit dhe atë të shpenzimeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) tremujor.

Drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli, e cila prezantoi raportin, bëri të ditur se ecuria e ekonomisë ka qenë më e mirë në 3-mujorin e dytë. Përtej nëngrupit të shërbimeve ka dhënë efekte pozitive edhe ndërtimi.

Po ashtu, sipas saj, sektori i turizmit ka dhënë efekte pozitive në disa drejtime si në tregti, restorante e akomodim.

“Rritja reale e PBB-së në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 vlerësohet 3.94 %. Treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht, në tremujorin e dytë 2024, krahasuar me tremujorin paraardhës, vlerësohet me rritje prej 1.18 %”, deklaroi ajo.

Dhuli u shpreh se konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rrit me 6.01 %; konsumi final i qeverisë u rrit me 6.72 %; komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks, referuar ndryshe investimet, u rrit me 3.81 %.

Referuar raportit, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4.89 %, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 5.64 %.

Aktiviteti i ndërtimit, sipas INSTAT-it, shënoi rritje me 10.10 %, i ndjekur nga grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative, i cili shënoi rritje 9.58 %.

Ekonomia u rrit me 3.94 % në gjysmën e parë të vitit

Aktiviteti financiar dhe i sigurimit shënoi një rritje prej 8.71 %, ndjekur nga grupi i aktiviteteve të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, i cili shënoi rritje 8.05 %, grupi i aktiviteteve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pati një rritje prej 6.48 %, grupi i aktiviteteve arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi, pati rritje me 3.82 %, aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje prej 2.69 % dhe aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit shënoi rritje me 0.56 %.

Ekonomia u rrit me 3.94 % në gjysmën e parë të vitit

Ndërsa aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit shënoi rënie me 8.91 % dhe grupi i aktiviteteve të informacionit dhe komunikacionit shënuan rënie prej 5.39 %.

Taksat neto mbi produktet u rritën me 7.01 %.