Gara për kreun e ri të Policisë së Shtetit/ Hajdarmataj: E shoh të qëllimshëm këtë miratim, ky ligj ka 3 vite që flitet...
I ftuar ditën e sotme, në studion e lajmeve të "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype", ishte ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj, për të folur për garën për kreun e ri të Policisë së Shtetit.
"Në bazën e asaj se çfarë thuhet dhe çfarë shkruhet në ligj, parimisht është mirë, por gjërat mendoj se duhet të vijnë në sensin ose në rrafshin praktik. Edhe në komunikimet që kam pasur mundësi të komunikoj në media, për këtë çështje dhe në raste të tjera, kam qenë i mendimit që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk lihet në dorën e një konkursi ose një komisioni. Argumenti im është që nga fillimi i proçesit të një ligji të ri.
Mos harrojmë që ligji i Policisë së Shtetit ka ndryshuar më shumë në çdo kohë, brenda një qeverie.
Është ligji që ka pasur ndryshime të herëpashershme dhe tërësore. Edhe ky ligj që u bë tani, unë e shoh që qëllimshme miratimin në prag të vitit zgjedhor sepse ky ligj ka të paktën 3 vite që vërdalliset në institucione të ndryshme.
Që këtu fillon skepticizmi im që ligji ndryshon për të justifikuar një veprim 6-7 muaj para zgjedhjeve", tha Hajdarmataj

