A është vërtet gati Perëndimi që të përfshihet në luftën Ukrainë-Rusi?

Imagjinoni sikur një numër qytetesh amerikane të bombardoheshin me raketa kineze Dong-Feng 15. Dhe ato nuk lëshohen nga ushtria kineze, por nga disa aktorë të tjerë, të cilat i kanë marrim nga Pekini me pretendimin zyrtar goditjen e objektivave specifike. A do të justifikohej dikush që do thoshte se Kina gjendet tashmë në luftë me SHBA-në?

E kam të vështirë ta besoj se dikush në Uashington do të mendonte ndryshe. Prandaj është e çuditshme, që ndërsa qeveria britanike dhe ajo amerikane po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të Ukrainës që të godasë në thellësi të Rusisë me raketat e dërguara nga Londra dhe Uashingtoni, këmbëngulin në të njëjtën kohë se nuk janë duke hyrë në një luftë kundër Rusisë.

Kryeministri britanik Keir Starmer është shprehur: “Ne nuk kërkojmë ndonjë konflikt me Rusinë, ky nuk është aspak qëllimi ynë!”. Po atëherë si shpjegohet kjo qasje gjeopolitike? Një nga argumentet, është se ishte Rusia, ajo që nisi një luftë mizore dhe të paprovokuar kundër Ukrainës.

Partnerët perëndimorë të Kievit, vetëm sa po garantojnë mbrojtjen e saj. Kjo kauzë po mbrohet fuqishëm, por ajo e parëndësishme në raport me pyetjen nëse kemi apo jo një lufte midis Perëndimit dhe Rusisë. Luftërat mund të bëhen për qëllimet më fisnike, siç është rasti me Ukrainën.

Por unë nguroj ta quaj atë diçka tjetër përveçse një luftë, pavarësisht nëse cilësohet e drejtë apo për vetëmbrojtje. Një argument tjetër, është se heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore për të goditur objektivat në Rusi, nuk është diçka e re.

Armë të tilla janë përdorur për të goditur objektivat në Krime, të cilën Rusia e konsideron prej një dekade si territorin e saj sovran. Por zhvillimi i fundit, është shumë më delikat dhe meriton që të shqyrtohet me seriozitet. Nëse dërgimi i armëve për një aleat të ngushtë ushtarak, do të ishte i barabartë me hyrjen e tij në një luftë, atëherë e gjithë bota do të ishte tashmë e përfshirë në këtë konflikt.

Është e qartë se si Britania ashtu edhe SHBA-ja, e kanë ndihmuar shumë Ukrainën dhe armë dhe municione. Ndaj a e ndryshon ekuacionin ushtarak, mundësia e goditjes së objektivave disa qindra kilometra brenda Rusisë? Presidenti rus duket se mendon se po.

Kur mediat perëndimore i bënë publike diskutimet midis Londrës dhe Uashingtonit më 12 shtator, Vladimir Putin u kundërpërgjigj me një ton krejtësisht të ri. Për herë të parë që nga fillimi i luftës, ai pretendoi se Britania dhe SHBA po synojnë të përfshihen në këtë konflikt. Dhe shqetësimi i tij nuk ishte mbi përkufizimet ligjore ndaj luftës, por për realitetet politike dhe ushtarake. “Storm Shadoës” janë raketa të drejtuara me saktësi me një rreze goditëse më të madhe se sa 250 kilometra. Putin beson se nëse Ukrainës i jepet leja për të përdorur ato dhe armë të ngjashme sipas dëshirës së saj, kjo do të përbënte për Rusinë një sfidë, e cila ndryshon dukshëm nga dërgesat e mëparshme ushtarake të Perëndimit në Ukrainë.

Unë jam gjithmonë i gatshëm t’i kundërvihem mendimeve të tij, por tundohem të bëj një përjashtim, dhe të them se Putini ka të drejtë në një pikë. Ata që kërkojnë t’i japin Ukrainës aftësinë për të goditur objektivat strategjikë brenda Rusisë, e bëjnë këtë pikërisht sepse kjo premton të prezantojë një variabël krejtësisht të ri në konflikt.

Një variabël të aftë të ndryshojë rrjedhën e luftës. Dhe pikërisht ky variabël, me nivelin e ri të kërcënimit që sjell me vete, mund të quhet një përshkallëzim i armiqësisë nga Uashingtoni dhe Londrës ndaj Moskës, ndaj të cilit Putini synon të kundërpërgjigjet me aq sa mundet, sigurisht nëse kërcënimi është real dhe nëse dëshiron të mbijetojë.

Pra gjithçka duket se po shkon drejt përplasjes së madhe. E vërteta është se rrjedha e luftës në Ukrakinë ndryshoi që në verën e 2023. Deri atëherë ekzistonte shpresa - të cilën e ndaja edhe unë plotësisht - se konflikti mund të mbahej brenda kufijve dhe të fitohej me vendosmëri.

Modelet që kisha parasysh, ishin konfliktet e kaluara koloniale si Lufta Algjeriane, në të cilën Fronti Nacional Çlirimtar luftoi për pavarësinë nga Franca por edhe Lufta e Ftohtë. Në të dyja rastet, fitorja u bë e mundur jo përmes një përplasjeje direkte që solli shkatërrimin e kundërshtarit, por me mjete më të tërthorta, të cilat në fund e detyruan kundërshtarin të dorëzohej.

Iu dha fund statukuosë. Militantët algjerianë nuk u detyruan të digjnin Parisin për të fituar pavarësinë, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk e përdori asnjëherë arsenalin e tij bërthamor për të parandaluar shembjen e vet. A mund të ndodhë kjo në Ukrainë?

Si shumë të tjerë, edhe kam besuar se me mbështetjen e duhur të Perëndimit, ishte e mundur një fitore e rëndësishme e Kievit në Ukrainën Lindore ose Jugore, pas së cilës Rusia do të detyrohej të rishqyrtonte shumicën e synimeve të saj që kishte para nisjes së pushtimit.

Për fat të keq, pajisjet dhe trajnimet perëndimore mbërritën shumë vonë, dhe në atë moment u humb një mundësi e artë. Rusia pati kohën e duhur për të ndërtuar fortifikime pothuajse të pakalueshme dhe fusha të minuara përgjatë vijës së frontit. Ndërkohë lufta me dronë në një shkallë të gjerë, e bëri jashtëzakonisht të vështirë ofensivën e shpejtë.

Për këto arsye, ngeci shumë shpejt edhe kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës. Nga fundi i verës së vitit të kaluar, shumë prej mbështetësve më të vendosur të Ukrainës nisën të mendonin për një plan të ri. Nëse Rusia nuk mund të mposhtej në Ukrainë, atëherë do të duhej të mposhtej brenda territorit të saj.

Strategjia ushtarake dhe mbështetja perëndimore, do të duhej të përshtateshin me qëllimin e ri. Këta zëra u qetësuan nga bindja e tyre se Rusia ishte tashmë shumë e dobët për të marrë çfarëdolloj përgjigjeje.

Si Putin ashtu edhe “skifterët” që dominojnë debatin në Perëndim lidhur me këtë çështje, bien dakord mbi rëndësinë e asaj që është në lojë: duke i ofruar Ukrainës kapacitetin për të goditur sistemin energjetik rus, madje edhe qendrat e vendimeve politike dhe ushtarake brenda Rusisë, demokracitë perëndimore do të ndikojnë në ndryshimin drastik të ekuacionit ushtarak.

Përpjekjet e tyre nuk drejtohen më kundër pushtimit rus, por kundër vetë Rusisë. “Skifterët” do të argumentojnë se nuk ekziston asnjë mënyrë tjetër për ta detyruar Rusinë të tërhiqet. Dhe kanë deri diku të drejtë. Sepse më 16 shtator, Putin urdhëroi ushtrinë ruse të shtonte me 180.000 trupa të reja radhët e saj, një lëvizje që do ta bënte atë të dytën më të madhe në botë. Nga ana tjetër, është gjithashtu e vërtetë - edhe pse jo gjithmonë e diskutuar publikisht - që lufta nuk ka ecur mirë për Ukrainën muajt e fundit, duke e afruar kështu nevojën e një zgjedhje midis rritjes së presionit ndaj Moskës dhe pranimit të humbjes.

Ndoshta jo tani, por kjo mund të vijë në mënyrë të pashmangshme, pas imponimit të mëtejshëm të avantazheve të Rusisë në burime njerëzore dhe artileri. Atëherë, a janë demokracitë perëndimore në luftë ndaj Rusisë? Apo më saktë:A po përgatiten të hyjnë në luftë?

Vendimi për të autorizuar sulme të reja në shkallë të gjerë brenda Rusisë është i vonuar, pasi administrata Biden po mendon se sa i rëndësishëm mund të jetë ky hap. Kur Starmer vizitoi Uashington në mes të këtij muaji, të gjithë e morën si të mirëqenë një lëvizje të tillë. Por asgjë nuk u vendos.

Ngurrimi për të folur mbi luftën është i kuptueshëm. Por ashtu siç Putin u detyrua përfundimisht ta përdorte këtë fjalë - në vend se t’i referohej pushtimit të tij si një “operacion ushtarak special” - edhe Perëndimi mund të detyrohet të ndalojë së menduari pjesëmarrjen e tij në Ukrainë si një “operacion logjistik special”.

Tani sfida është t’i pranojmë rreziqet, dhe të kujtojmë se edhe luftërat mund, dhe shpesh ndodh që të mbeten të kufizuara, dhe se ato mund të zhvillohen disi në mënyrë të tërthortë. Në epokën bërthamore, dhe midis fuqive bërthamore, ato duhet të mbeten të kufizuara.

Në rast se Perëndimi lejon vendosjen e raketave të tij në front, në luftë do të futet një variabël i ri. Rusia mund të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë. Për shembull, ajo mund të tundohet që t’i sigurojë Iranit apo rebelëve Huthi kapacitete të reja ushtarake.

A është e përgatitur Britania për skenarin, që një nga luftanijet apo transportuesit e saj në Lindjen e Mesme të mbytet nga një raketë hipersonike e lëshuar nga Jemeni? Unë mendoj se jo. Ndaj detyra e parë është përgatitja për këta skenarë të rinj. Ndërsa e dyta është të mendojmë me shumë kujdes se çfarë kufizimesh të reja mund të vendosen ndaj përshkallëzimit të konfliktit, edhe kur heqim dorë nga të vjetrat.