Të djathtë e të majtë në lot për Gerti Bogdanin, Lita: Ishte njeri fisnik, modeli i politikanit që ka nevojë sot vendi

Në nder të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 44-vjeçare, u zhvilluan sot homazhe në ambientit e Kuvendit.

Miq, të afërm, familjarë kolegë dhe bashkëpunëtorë morën pjesë në homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit Bogdani.

Në homazhe morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministra, deputetë nga mazhoranca dhe opozita, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, personalitete të artit si dhe nga shoqërisë civile.

Lidhur me këtë ngjarje të trishtë foli në studion e lajmeve në “Ora Neës”, gazetari dhe analisti Lavdrim Lita.

“Gerti Bogdani si figurë politike ishte një nga më të rëndësishmit në Partinë Demokratike. Ishte i komunikueshëm sidomos me ne gazetarët mbante raporte tejet të mira. Ku në vitin 2021-in ishte ndër më të kuotuarit në radhët e PD-së.

Roli i tij në Forumin Rinor të PD-së ishte tejet i rëndësishëm duke e ngritur në nivelet më të larta të përfaqësimit në arenën ndërkombëtare.

Ishte një politikan i matur dhe i qetë, dhe këtë e dëshmoi vitet e fundit në këtë përçarje të madhe që përfshiu partinë më të madhe të opozitës.

Ishte një politikan jokonfliktual dhe i moderuar, ishte një fisnik i familjeve të mëdha të kryeqytetit çka u referua edhe në homazhet e sotme të lamtumirës, ku u vu re qartë nga numri i madh i njerëzve nga të gjitha fushat që e nderuan atë.

Në momentet e mëdha kur duhej të hynte në garën e madhe sidomos në zgjedhjet për Tiranën ai u tërhoq nga skena publike. Sepse diçka nuk shkonte ku në vitin 2021 ishte më i votuari në PD, ndërsa dy vite më pas numri kishte rënë. Pra, kishte diçka që nuk shkonte.

Fakti i nderimeve të sotme si nga e djathta ashtu edhe nga e majta e lidh me faktin se ai nuk ishte në listën e gjatë të politikanëve të korruptuar. Një anë e tij e panjohur ishte dhe fakti se Gerti ishte shumë besimtar”, theksoi ndër të tjera në analizën e tij, gazetari Lavdrim Lita.

Kush ishte Gerti Bogdani?

Ish-deputeti Bogdani ndërroi jetë më 18 shtator 2024 për shkak të një arresti kardiak.  Gerti ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe la pas dy fëmijë, Ajrën dhe Reinartin.

I lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë, Bodgani pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.

Rikthehet më pas në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në Universitetin e New Yorkut –Tiranë. Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.

Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ai kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.

Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, në moshën 29-vjeçare, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 ai zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar.

Në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.

Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës.