Berisha: Prokuroria private e Ramës fsheh të vërtetën se procesi i privatizimit të Klubit Partizani u iniciua nga qeveria e Nanos

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “prokuroria private e Ramës” fsheh të vërtetën se procesi i privatizimit të klubit sportiv “Partizani” u iniciua nga qeveria e Fatos Nanos.

DEKLARATA E BERISHËS

Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm dhe atyre që na ndjekin.

E vërteta e privatizimit te Klubit Partizani.

Zonje dhe zotërinj!

Një shtyllë tjetër mbi të cilën ka ngritur piramidën e mashtrimit prokuroria politike private e Edi Ramës ndaj Sali Berishës është shpifja sipas të cilës Sali Berisha privatizoi Klubin Partizani për të pasuruar dhëndrin e tij.

Në këtë kuadër për të servirur si të vërtetë shpifjen e tyre, Dumani i pyetjes 1 milion euro, Kraja ish-xhelati i policisë sekrete të Enver Hoxhës, Millonai që për të mbrojtur si motër biologjike Tualantin me pesë mbiemra, konfiskon dosjet e padive kundër tij duke manipuluar, falsifikuar dhe rrëzuar aktet dhe ligjet zyrtare dhe shkruajnë se: “Privatizimi i Klubit Partizani, duket se ka gjetur diskutim dhe mbështetje, që në mesin e vitit 2005, kur evidentohet korrespondencë e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, mbështetur edhe në kërkesat e shoqërisë Partizani sh.a., por kjo procedurë ka mbetur në fazat fillestare”.

Dhe për ta lidhur me nënkuptim këtë procedurë me Sali Berishën si autor i saj, ata vazhdojnë po aty: “Në vitin 2005, pasi shtetasi Sali Berisha zgjidhet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë….’.

Në këtë paraqitje, për të justifikuar krimin e tyre, prokurorët politikë fshehin dy të vërteta të një rëndësie kapitale për këtë çështje.

Së pari, ata fshehin dhe nuk tregojnë aty emrat e titullarëve të Ministrive të Kulturës, Ekonomisë, Mbrojtjes, që bazuar në kërkesën e një subjekti që nuk ishte pronar i Klubit Partizani, firmosën shkresat dhe de juro dhe de facto nisen procesin e privatizimit, por këta mercenarë për të krijuar përshtypjen se këtë proces e ka nisur Sali Berisha, vazhdojne po aty me: “Në vitin 2005 erdhi në pushtet shtetasi Sali Berisha…”, pra duan të bëjnë sadopak të besueshem shpifjen e tyre duke lënë të nënkuptohet se procesin e privatizimit e nisi Sali Berisha.

Kështu ata rreken të fshehin të vërtetën se nga mesi i vitit 2005, procesi i privatizimit të Klubit Partizani u iniciua me shkresa zyrtare nga ministrat Angjeli, Klosi Majko të qeverisë Nano dhe jo nga ministrat e qeverisë së PD.

Së dyti, mercenarët e organizëtes kriminale Skapi i Partisë, fshehin një të vërtetë tjeter kapitale në këtë proces: Ligji Nr.9235, datë 29.7.2004, PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS neni 7, që titullohet: pronat që nuk kthehen, në pikën 1 të këtij neni, rreshtohen te gjitha pronat publike dhe shtetërore që nuk kthehen.
Kurse në pikën 2 të tij, ky nen sanksionon se: në rast se pronat e paluajtshme që përfshihen në piken 1 të këtij neni, propozohen për t’u tjetërsuar, ato i kalojnë subjekteve të shpronësuara.
Pra, edhe njëherë çdo propozim për tjetërsim pronësie per pronat publike apo shtetërore, që sipas ligjit 9235, nenit 7/1, nuk kthehen, në pikën 2 të këtij neni, ky ligj detyron që këto prona t’ju kthehen vetëm pronarëve legjitimë të shpronësuar, në rastin konkret toka iu kthehet të shpronësuarve në qoftë se ato propozohen për tjetërsim.
Pra, ligji bazë i kthimit dhe kompensimit të pronave ndalon çdo tjetërsim të pronës publike apo shtetërore në pronësi apo përdorim të dikujt tjetër përveç pronarit të shpronësuar.
Shtoj këtu se mercenaret e organizatës kriminale Skapi i Partisë injorojnë në këtë rast faktin se pronaret legjitimë të territorit të Klubit Partizani, të shpronësuar nga regjimi komunist, kanë paraqitur nga viti 1995 gjer në vitin 2005 në mënyrë të peësëritur kërkesën pranë autoriteteve zyrtare për ushtrimin e të drejtës së njohur me ligj dhe vendime të KKKP për parablerjen e objekteve të Klubit Partizani të ndërtuara mbi tokeë e tyre.
Veç kësaj, ligji 9235, neni 7/2, nuk thotë çdo tjetërsim i pronësisë e rikthen tokën, pronën, tek i shpronësuari, por thotë çdo propozim i tjetërsimit të pronësisë. Pra është propozimi i tjetërsimit të pronësisë dhe jo realizimi i tjetërsimit, momenti që detyron automatikisht rikthimin e tokës te i shpronësuari.
Në këtë kuadër, Klubin Partizani ua kthyen pronarëve ministrat socialistë që propozuan tjetërsimin e pronësisë të këtij klubi për një subjekt tjetër privat jo pronar.
Kështu pra nuk është Sali Berisha që ka propozuar privatizimin e Klubit Partizani, por janë ministrat socialistë Angjeli, Klosi e Majko.
Mirëpo kjo e vërtetë nuk iu intereson prokurorëve politikë të prokurorisë private të Edi Ramës ndaj dhe fshehin emrat e ministrave që propozuan, dhe momentin e propozimit të tyre sepse ato iu përmbysin që në fillim piramidën e tyre të mashtrimit.

Procedura e privatizimit të Klubit Partizani u nis nga qeveria socialiste.
Sali Berisha, qeverisja e tij nga viti 2005-2013, në përputhje të plotë me programin e Partisë Demokratike, por dhe me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, bënë të mundur me 54 mijë vendime të AKKP, kthimin ose kompensimin e 1.577.400.000 m2 dhe qindra e qindra objekte mbi 510 mijë pronarëve legjitimë të konfiskuar nga regjimi i etërve të Edi Ramës.
Jamarber Malltezi, pasardhës i pronarëve ndër më të mëdhenjtë të Tiranës, por dhe Shkodrës, ka marre gjithsej më pak se 7% të pronave qe i takojnë, në rastin e Klubit Partizani ai ka marrë 410m2 toke ose me pak se 1% të tokës.
Procesi i privatizimit të Klubit Partizani është një proces ‘lege artis’, i zhvilluar në mënyrën më transparente pa asnjë shkelje ligjore.
Theksoj edhe njëherë pa asnjë shkelje ligjore, çdo interpretim tjetër është absolutisht fals dhe i pavërtetë.
Në hetimin e tyre shterues 4-vjeçar, prokurorët politikë të Edi Ramës nuk citojnë, sepse nuk kanë gjetur asnjë shkelje ligjore në firmosjen e dhjetëra dokumenteve të procesit të njohjes, kthimit të pronës dhe parablerjes së objekteve të ndërtuara mbi pronën e tyre.
Asnjë nga këta punonjës, që kanë firmosur këtë proces nga viti 1996 i fillimit të tij gjer në vitin 2009 të përfundimit të tij, nuk është në ndjekje penale sepse ata kane zbatuar ligjin dhe vetem ligjin.
Aludimi se një ministër ka firmosur në vitin 2007, në një kohë kur ligji parashikonte koncesionin, është krejtësisht i pabazë. Procesi kishte dy vite që kishte filluar dhe ligji në qoftë se nuk shkruan në rreshtat e tij, nuk ka fuqi prapavepruese.
Në hetimin e tyre shterues 4-vjeçar, prokurorët politik te Edi Rames nuk kane gjetur asnjë dokument të firmosur nga Sali Berisha për njohjen, kthimin e pronës pronarëve legjitimë apo parablerjen, në përputhje me ligjin e objekteve të ndërtuara mbi këto prona.
Në hetimin e tyre shterrues katërvjeçar nuk ekziston asnjë dëshmi e çfarëdolloj që të faktojë se Sali Berisha ose Jamarbër Malltezi apo lidhje tjetër e tyre, kanë ushtruar presionin më të vogël tek ndonjëri prej dhjetëra e dhjetëra punonjësve te qeverive të majta dhe të djathta, që kanë firmosur dokumentet e njohjes, kthimit te pronës tek pronaret legjitimë dhe parablerjes së objekteve të Klubit Partizani.

Duke përfunduar mund të them se ata që transparencën, zbatimin rigoroz të ligjit, por edhe detyrimeve kushtetuese, i shpallin për korrupsion, janë skllevër pengje mjerane të krimeve të tyre.
Por theksoj përsëri se kur ke bërë pazare me vrasësit dhe ke marrë paranë e tyre të krimit për t’u pasuruar vetë, për të blerë apartamente, vila, toka apo pasuri të tjera, të cilat me rrogën tënde nuk i blije dot kurrë, apo kur ke përdorur paratë e vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve për vakanca luksoze, për shkollimin e fëmijëve apo qoftë dhe për bixhoz, kur ke përdorur detyrën e besuar nga shoqëria për t’u bërën nga prokuror, avokat i kriminelit që të ka blerë dhe skllav i tij, ke shitur çdo gjë njerëzore
Ke shitur veten tek vrasësi, je zhveshur, shpërfytyruar dhe denatyruar nga morali njerëzor, je bërë më i lig, më i ulët se sa padroni yt, më vrasës, më përdhunues, më hajdut se ai, ndaj dhe virtytin njerëzor, solidaritetin familjar dhe të bamirësisë i quan vepër penale, krim.
Zbatimin e ligjit e shpall shkelje të ligjit dhe korrupsion dhe nuk ndalesh para asgjëje.
Bëhesh me hajdut se hajduti, më vrasës se sa vrasësi, të tillë janë sot anëtarët e organizatës kriminale Skapi i Partise apo anëtarët e prokurorisë private të Edi Ramës, të cilët Juri Kim ua serviri shqiptarëve si heronjtë e fëmijëve të tyre, por në fakt u provuan si monstrat me vepra shumë konkrete të fëmijëve shqiptarë, përfshi këtu moralit të tyre dhe fëmijëve autikë.

Dosja Partizani është fund e krye një krim politik i mirëfilltë, një piramidë e vërtetë mashtrimi. Ju garantoj se do të bëhet çdo përpjekje për të vendosur para ligjit të gjithë ata që i kanë lejuar vetes, një shpifje, trillim, mashtrim, për arsye politike, për shkak të krimeve në të cilat janë vetë të përzier.
Por meqë jam në këtë çështje, kam një kërkesë të njerëzishme ndaj gazetarëve. Unë vlerësoj shumë angazhimin e tyre në debatin për këtë dosje dhe për çdo gjë, dhe i garantoj se kanë gjithnjë respektin tim, pavarësisht nga linja editoriale që mund të ndjekin. Por në këtë rast, më duhet të ju them gazetarëve dy gjëra. Konstatoj se tek tuk prej tyre keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga Skapi. Keqpërdoren se janë të marrë peng realisht dhe unë këtë do të ua faktoj. Me këtë unë ju them kaq; do të trajtoj njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i partisë. Me të tjerët të cilët janë profesionistë, kontribuojnë çdo ditë, mendoj se në dinjitetin e tyre është të marrin guximin, kur lexojnë pasazhe të piramidës së mashtrimit, të shtrojnë pyetje Sali Berishës, Jamarbër Malltezit se është në kodin e gazetarëve se si qëndron e vërteta. Ne jemi të gatshëm të ju përgjigjemi çdo pyetje që ata kanë, në mënyrë që të mos bëhen viktima të keqpërdorua të një materiali fund e krye, krim politik.
E them këtë sepse, unë besoj se nëqoftëse një gazetar apo gazetare, ulet në një studio dhe lexon njëlloj sikur të ishte zëdhënës i Dumanit 1 mln eurosh pyetje, i ish-xhelatit të policisë sekrete të Enver Hoxhës, Arben Kraja dhe Millonajit, simotrës biologjike, mendoj se e fyen veten keq. Ai ose ajo, para se të lexojë, para se të bëjë deklarata që janë fund e krye mashtrim, para se të marrë përsipër të bëhet zëdhënës i mashtrimeve, le të zgjedhë çfarë të dojë nga ajo dosje dhe të pyesë, ose avoketërit, ose Sali Berishën, ose Jamarbër Malltezit. Dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë transparencë për çdo pyetje. Thashë edhe njëherë, këtu nuk bëhet fjalë për gjobëvënësit e Linda Ramës, për Bolinot, jo. Ata do të trajtohen njëlloj si anëtarë të oerganizatës kriminale, Skapi i Partisë. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë gazetarët e tjerë të cilët me përkushtim, raportojnë njoftojnë, kryejnë detyrën e tyre.