Ushqime, lekë dhe shtëpi për banorët e zonës, Sinaj mbrohet: Jam bamirës. Bardhi: Zoti të ta dijë për blerjen klasike të votave
Këshilli i Mandateve ka nisur mblidhjen për të diskutuar mandatin e deputetit të PS-së Vullnet Sinaj. Ky i fundit pohoi sërish se ka siguruar ushqimet, ka ndihmuar financiarisht dhe ka ndertuar shtëpi për banorët e zonës.
Deputeti socialist Vullnet Sinaj, tha se ka hequr dorë nga bizneset, sapo ka marrë mandatin e ligjvënësit.
Sinaj tha se kur ka marrë mandatin e deputetit ai kishte hequr dorë nga bizneset, nga të gjitha kompanitë, ndërsa pohoi se kishte caktuar njerëzit e besuar, të cilët kanë kompetenca të plota të drejtojnë kompanitë, por nuk kanë asnjë detyrim që të më informojnë mbi atë se ccfarë ndodh me bizneset.
Duke thumbuar kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, Sinaj tha se: “Ke një tendencë për të gënjyer popullin. Je caktuar drejtues politik i PD në Fier, që është atje përballë fshatit tim, dhe unë nuk lejoj që ti të shkosh atje dhe të gënjesh, sepse janë 100 zonja nga fshati im që kanë shkuar në Mallakastër dhe nuk të lejoj që t’i gënjesh edhe ato”.
Në vijim, deputeti socialist duke iu drejtuar Bardhit i tha: “Ti nuk e mban fjalën, pasi deklarove se nëse Sali Berisha bëhet kryetar i PD-së, do të dorëzoje mandatin. Berisha u bë kryetar dhe ti nuk e dorëzove mandatin”.
“Gjatë gjithë viteve të mandatit tim si deputet, në natën e Vitit të Ri, nuk kam shkuar kurrë të festoj në familjen time, pa u siguruar që pakot e ndihmave të kishin mbërritur në familjet në nevojë”, tha Sinaj.
Në vijim deputeti socialist ka treguar se ka ndihmuar banorët e zonës, ato që ishin të pamundur, ka zgjidhur problemet e tyre.
“Kam financuar ndërtimin e banesës së një familjeve. E them këtë për të treguar se mandatin e deputetit nuk e kam marrë për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, por për të ndihmuar ata qytetarët e zonës”, tha Sinaj.
Ai u shpreh se nga llogaria e tij personale ka dhënë si donacion 100 mln lekë dhe bizneset kanë dhënë 100 mijë euro të tjera, gjatë kohës së tërmetit.
“Bizneset kanë financuar bërjen e sallës së kardio-kirurgjisë, pas apelit të bërë nga mjeku Altin Veshti. Ishin aksionerët e bizneseve, plot 35 të tillë, që u bënë bashkë dhe financuan ndërtimin e sallës që i shërben jo vetëm fëmijëve të Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe Malit të Zi”, tha ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve tha se deputeti socialist Vullnet Sinaj duhet të dorëzojë mandatin e deputetit, pasi në shkelje të Kushtetutës, ka përfituar fonde publike.
Bardhi i konsideroi si përralla deklaratat e bëra nga Sinaj, duke shtuar se kur kompanitë e tij bëjnë akte pozitive, deputeti i di dhe merr meritat, ndërsa kur shkelet ligji, ai nuk di gjë.
“Mungesë totale respekti ndaj Kushtetutës. Ju mbrojtët Olta Xhaçkës, do të mbroni edhe Vullnet Sinajn.
Vjen këtu edhe na thua ndërtova banesën e dikujt apo ndihmova kaq familje në nevojë, ti hajde këtu dhe jep llogari për shkeljen e Kushtetutës.
Mund të vish dhe të na thuash jo e bleva votën e dikujt ditën e zgjedhjeve, jo e blera dy muaj para zgjedhjeve”, tha Bardhi.



