Rama në shkollën profesionale “Beqir Çela”: 400 regjistrime të reja në pesë drejtime të ndryshme
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe kryetaren e bashkisë Durrës, Emirjana Sako ishin sot në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Durrës.
Këtë vit në këtë shkollë janë shtuar 400 regjistrime të reja në pesë drejtime të ndryshme, teksa numri i të regjistruarve ka arritur në 1 mijë e 200 nxënës në total.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “400 janë vetëm regjistrime të reja, +20% më shumë se një vit më parë, janë dëshmi reale se çdo vit e më shumë të rinjtë po orientohen drejt arsimit profesional”.
Rama duke takuar nxënësit e shkollës u tha se; “keni bërë shumë mirë që keni ardhur këtu edhe mësoni sa më mirë se do e shihni që sa të vini do të gjeni punë dhe do të gjeni punë të paguar mirë, sa të dilni”.
Rama tha se arsimi profesional dhe kualifikimi i punonjësve është kthyer në domosdoshmëri.
“Këtu nuk është çështje vizionarësh për hir të së vërtetës, këtu është çështje e një domosdoshmërie të jashtëzakonshme që ne kemi kuptuar, jo se jemi vizionarë, por se kemi parë sesi ecin të tjerët, kemi parë edhe sesi zgjerimi hap pas hapi i ekonomisë dhe rritja ekonomike dhe rritja e investimeve private do të çonin hap pas hapi në situatën kur do të kërkohej cilësi, jo sasi për shumë vende pune”, nënvizoi Rama.
“Dhe sot shembulli më dramatik është turizmi, por kudo mund të thuhet e njëjta gjë.
Ne kemi një kërkesë që është eksponencialisht më e lartë dhe kemi një sipërmarrje në turizëm që duhet me patjetër, jo vetëm të ketë punonjës por t’i ketë të kualifikuar se nuk ecet më dot edhe po të duan të vazhdojnë të ecin ashtu symbyllurazi.
Që kur ia thonim përpara 10 vjetësh, përpara 7 vjetësh, edhe përpara 5 vjetësh, iu dukej sikur i flisnim në një gjuhë që nuk e kuptonin”, tha Rama.
“Po tani duhet që ose kamerieri të di të sillet e të buzëqeshë, ose recepsionisti të dijë të bëjë punën shpejt ose të tjerët të dinë t’i trajtojnë klientët si arsyen kryesore pse janë aty ose pastaj ata turistë që vijnë nga kjo tërheqja e fortë dhe hyjnë tek dera e një sipërmarrje të tillë që nuk i ka këto kushte të trajtimit të personave nuk kthehet më aty nuk diskutohet.
Kështu që kjo është kudo”, theksoi Rama.
“Tani po na ndihmon edhe presioni i tregut edhe presioni i rritjes ekonomike që ta kemi më të lehtë me sipërmarrësit”, shtoi Rama.
Rama theksoi se, “sfida tjetër që kemi është që duhet ngritur në një shkallë tjetër marrëdhënia me sipërmarrësit sepse duhet filluar të orientohen në kuptimin thelbësor që ka sistemi dual, që nuk është që ti e merr një nga shkolla profesionale në punë dhe e trajton si profesionist, port ai edhe në punë duhet të jetë nxënës.
Pra duhet t’i krijohen të gjitha kushtet si nxënës. Jo o çuni hajde se shko kape mbush ujin dhe e ke marrë për IT për shembull”.
Shkolla “Beqir Çela” në Durrës, është e akredituar në pesë drejtime të ndryshme; Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Elektroteknikë, Termohidraulikë, Mekanikë, 2 drejtime mësimore pas të mesme, dhe po zgjerohet me konviktet e reja të akomodimit me një kapacitet për afro 200 nxënës, duke plotësuar kështu kuadrin e një Kampusi Arsimor me hapësira studimi, akomodimi e terrene sportive.
