KISHTE 2, IU BËNË 3/ Shtohet akuzë për vrasje me paramendim për Ilirjan Beqarajn, pjesë e skuadrës që ekzekutoi Gentian Bejtjan
Ndryshojnë rrethanat penale të Ilirjan Beqaraj alias Brahimit, i cili në 20 Mars 2024, u arrestua nga policia e Tiranës, gjatë një aksioni për ngjarjen e vrasjes me 45 plumba të Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës.
Tashmë Beqaraj, nuk do akuzohet vetëm për mbajtje pa lejë të një pistolete “Valter” që ju kap në ambientet e vilës së tij në Lundër dhe falsifikimin e një psaporte kosovare, por ndaj tij është shtuar akuza e “Vrasjes me paramendim” kryr në bashkëpunim.
Vendimi është marrë pak ditë më parë nga prokuroria e Tiranës, e cila pas analizimit të provave në dosje, ka vendosur që Ilirjan Beqaraj t’i komunikojë në burg akuzën e vrasjes së Gentjan Bejtjas.
Ky konkluzion ka dalë nga provat e mbledhura si pamje filmike, gjurmë gishti në makinën tip “Golf 7”, të cilat kanë krijuar bindjen për grupin e hetimit se Ilirjan Beqaraj, ka qenë pjesë e skuadrës prej 4 persona, të cilët në 15 mars morën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Gentjan Bejtjas.
Është provuar se Beqaraj, ka qenë pjesë e skuadrës së vrasjes, pasi pamjet filmike e kanë zbuluar atë shofer në automjetin tip “Golf 7” që shkoi mori 4 vrasësit në fshatin Bubq të Fushë-Krujës.
Me identifikimin e Beqaraj si pjesë e skuadrës së vrasësve, shkon në dy numri i personave të zbuluar, përfshirë këtu dhe vlonjatin Flodian Plaku tashmë të shpallur në kërkim nga policia Shqiptare.
Për këtë ngjarje të rëndë, policia ka arrestuar dhe Edison Haxhiun, pronarin e “Golfit 7” ndaj të cilit është ngritur akuza e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”.
Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës, vrasja e Gentjan Bejtjas, lidhet ngushtësisht me planet e tij, Ervis Martinaj dhe ish-deputetit të PS Arben Ndoka, për të vrarë vëllezërit Durim dhe Valter Bami si dhe mikun e tyre Marklen Haka.
Gentjan Bejtja, ishte njeriu që mblidhte informacion dhe mbante të strehuara makinat në Larushk, me qëllim vrasjen e vëllezërve Bami në Nikël.


