Berisha: Rama nuk mund të fitojë kurrë ndryshe, por vetëm duke burgosur kundërshtarët e tij politikë

Nga dritarja e shtëpisë së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se Shqipëria është një vend pa drejtësi dhe me një drejtësi të kontrolluar.

Berisha: Shqipëria është një vend pa drejtësi dhe me një drejtësi të kontrolluar. Sot tre drejtuesit kryesorë të opozitës janë të burgosur ose në procese politike, sepse kriminelët e Skrapit të partisë zbatojnë urdhrat politikë të Edi Ramës, i cili nuk mund të fitojë kurrë ndryshe, por vetëm duke burgosur kundërshtarët e tij politik.

Pra Shqipëria, sot në ditën e demokracisë është vendi i burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, është vendi  i mburojës kriminale të dhunuesve të zgjedhjeve dhe krimit elektoral. Shqipëria është vendi ku prokurorët politik, ushqehen si shushunja me paratë e vrasjeve që u mbyllin dosjet, me paratë e kriminelëve që transportojnë tonelatat e kokainës, me paratë e plaçkitësve.

Nuk ka kriminelë më të mëdhenj kund, se sa sot në Skrapin e partisë, të cilët sillen si terroristë të vërtetë ndaj demokratëve. Të cilët thërrasin demokratët dhe u thonë se të bëjnë këtë dhe atë. O faqezi o kriminelë, fatin e Aranit Çelës do të keni dhe ju. Hiena që lëpini dhe përtypni krimet, vrasësit, pagatorët tuaj, do të përgjigjeni një ditë për të gjitha këto.