Bordin: S’bëjmë llogari para ndeshjes. AF Elbasani sfidon të hënën Tiranën në “Air Albania”
Të hënën në orën 19:00, në fushën e blertë të stadiumin ‘Air Albania’ do të përballen mes tyre, për llogari të javës së pestë të Superligës shqiptare, Tirana dhe AF Elbasani. Një duel ky që rikthehet mes dy ekipeve, në majat e futbollit vendas, pas më shumë se 9 vitesh.
“Bardheblutë” ende nuk e njohin shijen e fitores në këtë sezon, teksa kanë regjistruar 4 barazime, ndërsa nga krahu tjetër, “verdheblutë” kanë arritur 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.
Në prag të këtij dueli, doli para kamerave trajneri i elbasanasve, Roberto Bordin.
Roberto Bordin: Situata në skuadër është shumë e mirë. Kemi rikuperuar të gjitha energjitë, që pas ndeshjes me Laçin. Ata që kanë luajtur të gjithë ndeshjen dhe që kanë shpenzuar më shumë energji, kanë bërë një stërvitje pak më ndryshe. Kemi bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen e radhës.
Ai u shpreh më tej se skuadra e tij nuk bën llogari përpara ndeshjes.
Roberto Bordin: Ne do shkojmë që të luajmë ndeshjen, nuk mund të bësh llogari përpara ndeshjes. Është gjithmonë gabim që të bësh llogari. Do të jetë një sfidë e vështirë dhe e luftuar, me intesitet të lartë, jemi gati që të përballemi.
Në përfundim, Bordin tha se ka ende vend për përmirësim.
Roberto Bordin: Është ende fillimi i kampionatit, gjithmonë ka vend për përmirësim. Duhet t’u japim kohë edhe disa lojtarëve që kanë ardhur pak më vonë dhe janë të rinj në skuadër. Duhet të përmirësohemi çdo ditë.
