BE premton sanksione, pas dyshimeve se Irani furnizon Rusinë me raketa
Bashkimi Evropian dënoi furnizimin e dyshuar iranian të raketave balistike për Rusinë, për përdorim në Ukrainë, dhe premtoi sanksione të reja.
Në një deklaratë të përbashkët 27 vendet anëtare të BE-së thanë se ”dorëzimi ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane” dhe ”një përshkallëzim thelbësor nga transferimet e mëparshme iraniane të municioneve dhe dronëve në Rusi”.
Diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell tha në X se blloku do të përgjigjet shpejt me sanksione të reja ndaj programeve të raketave balistike dhe dronëve të Iranit.
Regjimi iranian ka mohuar me forcë akuzat e bëra nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Teherani gjithashtu ka mohuar më parë furnizimin e Rusisë me drone luftarake.
”BE-ja ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin kundër transferimeve të raketave balistike në Rusi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Irani është gjithnjë e më shumë i izoluar politikisht për shkak të programit të tij të diskutueshëm bërthamor, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe politikës së Lindjes së Mesme.
Në vitet e fundit, udhëheqja është përgjigjur duke forcuar lidhjet e saj me Rusinë dhe Kinën.
Më herët gjatë javës në një deklaratë të veçantë, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe premtuan sanksione të reja ndaj Iranit lidhur me transferimin e supozuar të tij të raketave balistike në Rusi.
Anijet dhe kompanitë që dyshohet se janë përfshirë në furnizimin e Rusisë me armë iraniane u sanksionuan. Mes tyre ishte edhe ”Iran Air”, i cili fluturon në disa destinacione në Evropë.
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, njoftoi gjithashtu sanksione të reja ndaj Iranit si përgjigje, pasi paralajmëroi Iranin më parë se furnizimi me armë të tilla do të “përbënte një përshkallëzim dramatik”.
