Më pak emigrantë drejt BE-së/ Bie hyrja e paligjshme drejt vendeve të Unionit. Shifrat raportojnë - 35% nga 2023-i
Me shtimin e retorikës kundër emigrantëve dhe shteteve te BE të cilat po ndjekin politika shtrënguese për ta, numri i personave që kanë kaluar pa leje kufirin ka njohur rënie. Sipas shifrave të publikuara rezulton se Ka një ulje prej 35% krahasuar me periudhën janar-gusht të një viti më parë.
Emigracioni i paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka pësuar një rënie vjetore me gati 35 për qind deri në muajin gusht, me gjithë shtimin e retorikës kundër emigrantëve.
Në muajt janar–gusht 2024, në vendet e BE-së u raportuan gati 115 mijë emigrantë të ardhur pa leje përmes rrugëve të Mesdheut dhe Atlantikut.
Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë u raportuan 176,252 ardhje sipas deklaratës së OKB për Emigracionin.
Ndërkohë në vitin 2015 në BE hynë më shumë se 1 milion persona, kryesisht për t'i shpëtuar konfliktit në Siri.
Edhe të dhënat nga Frontex, agjencia europiane për mbrojtjen e kufijve, tregojnë një trend të ngjashëm: kalimet në kufijtë jugorë të kontinentit ranë me gati 39 për qind krahasuar me vitin e shkuar.
Rruga kryesore që përdorin emigrantët nga Afrika e Veriut është ajo më rrezikshmja, përmes Detit Mesdhe drejt Italisë. Vetë Italia raportoi 64 për qind më pak emigrantë në brigjet e saj sesa në vitin 2023.
Ekspertët thonë se rënia e shifrave të emigrantëve ilegalë në BE vjen si rezultat i operacioneve të mbështetura nga Brukseli në vendet e origjinës, si Tunizia dhe Libia.
Ndërkohë një rritje alarmante e emigracionit të parregullt po raportohet tanimë në Afrikën Perëndimore, në Ishujt Kanarie përmes Atlantikut.
Kalimet nga kjo rrugë janë dyfishuar gjatë këtij viti në më shumë se 25.500 emigrantë të ardhur kryesisht nga Mali, Senegali dhe shtete të tjera të Afrikës Perëndimore.
Emigrantët po ashtu kanë rrezikuar jetën në këtë shteg të ri dhe sipas grupeve spanjolle që merren me të drejtat e emigrantëve, më shumë se 4 mijë janë shpallur të zhdukur ose kanë humbur jetën në det.


