Përfitoi miliona euro nga ndërtimi i “Partizanit”, Fatmir Bektashi merret i pandehur për dosjen e ish-kompleksit sportiv
Pas ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi, Prokuroria e Posaccme i ka komunikuar akuzë edhe ndërtuesit Fatmir Bektashi,
Ndërtuesi Fatmir Bektashi ka mbërritur ditën e sotme në ambientet e SPAK, ku i janë komunikuar akuzat për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Bektashi akuzohet nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, dhe për këtë arsye ai është marrë i pandehur për të njëjtat akuza.
Kompania “Homeplan” u themelua në vitin 2008 me themelues dhe ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Deri në vitin 2018, Bektashi rezultonte pronar i vetëm në kompani, por në këtë vit, një kontratë e vitit 2014 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilën, Bektashi rezulton se ka shitur 60% të aksioneve.
Kontrata e shitjes, e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se Malltezi kishte blerë 35% të aksioneve të kompanisë përkundrejt vlerës nominale prej 35 mijë lekësh.
Kjo duket se ka shtyrë prokurorinë të konkludojë se përfitimi i miliona eurove dividente nga kjo kompani nga ana e Malltezit përbën përfitim të paligjshëm ndërsa skema e shitjes së aksioneve me vlerë nominale përbën mekanizmin e përdorur për fshehjen e transaksionit për pagesën e përfitimit, pra mekanizmin e pastrimit të produkteve të veprës penale.
Një ditë më parë më 11 shtator, Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku u mor i pandehur për korrupsion pasiv. Po ashtu edhe dhëndri i rij Jamarbër Malltezi, u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.


