Gerta Loku sjell atmosferën e ditës së parë nga Rrësheni: Shkollat në fshatra po mbyllen, fëmijët vijnë në qytet
Shkollat në gjithë vendin kanë hapur të gjitha dyert për pritjen e nxënësve e mësuesve, ndërkohë që fëmijët shihen t’i drejtohen shkollave të lumtur e me lule në duar, për të filluar mbarë këtë vit mësimor.
Nga Rrësheni Gerta Loku, nënë e tre fëmijëve dhe fermere solli në studion e lajmeve në “Ora News” atmosferën e ditës së parë të shkollës dhe rrëfeu për shpenzimet e bëra për të siguruar materialet shkollore për fëmijët e saj.
“Emocionet ishin disi të ekuilibruara, por më shumë kishim emocione se na shoqëronte një beb i vogël që na përcolli sot në shkollë.
Vajzat e prisnin me padurim nisjen e shkollës, pasi normalisht është një angazhim shumë i madhe jo vetëm për vajzat por edhe për ne si prindër.
Librat e shkollës janë falas, por pavarësisht kësaj të gjithë ne si prindër mundohemi me aq mundësi sa kemi që t’iu sigurojmë dhe materialet shtesë që janë të nevojshme për mësimin e tyre.
Por ajo që vihet re është fakti që fëmijët e fshatrave sa vijnë e shtohen në shkollat e qytetit, kjo pasi shkollat në fshatra po mbyllen vazhdimisht”, u shpreh ndër të tjera Gerta Loku.



