SHBA: Infrastruktura e zgjedhjeve, e sigurt! Shefja e Sigurisë kibernetike mohon aludimet për ndërhyrje

Pavarësisht aludimeve nga palët për një plan të Rusisë, por edhe Kinës e Iranit për të ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve Presidenciale në SHBA, një gjë e tillë sipas autoriteteve nuk mund të ndodhë. Shefja e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike thotë se infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt

Zyrtarët e lartë të sigurisë së zgjedhjeve po u bëjnë thirrje votuesve amerikanë që të mos i japin shumë rëndësi pretendimeve të pabaza se zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të manipulohen.

Në buletinin e parë mbi sigurinë e zgjedhjeve të nëntorit, ata thanë se votuesit amerikanë duhet të kenë besim se votat e tyre do të numërohen me saktësi.

"Procesi ynë zgjedhor, infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt dhe komuniteti i palëve të interesuara në zgjedhje nuk ka qenë kurrë më i fortë", tha Jen Easterly, drejtore e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike, e cila është përgjegjëse për sigurinë e zgjedhjeve.

Përpjekja e zyrtares Easterly për të siguruar votuesit vjen pak më shumë se një muaj pasi agjencitë amerikane të zbulimit lëshuan një paralajmërim se armiqtë e Shteteve të Bashkuara, të udhëhequr nga Rusia, Irani dhe Kina, po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e nëntorit.

Por këto përpjekje të theksuara në paralajmërimin e agjencive amerikane të zbulimit synojnë të krijojnë dyshime mbi procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara dhe të ndihmojnë apo dëmtojnë kandidatë të caktuar në zgjedhje.

Deri më tani nuk ka pasur përpjekje nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara për të sulmuar apo për të ndërhyrë në sistemet e përdorura në procesin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave.

"Ne nuk kemi parë ndonjë përpjekje me qëllim për të ndërhyrë në procesin zgjedhor", u tha gazetarëve Cait Conley, zyrtare e lartë e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike, po ajo shton se "Kjo mund të ndryshojë në çdo moment".

Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike tha se përpjekjet e tjera për të mbrojtur infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale përfshijnë një sërë provash sigurie të infrastrukturës zgjedhore, testime të saktësisë së makinave të votimit dhe masa të zgjeruara sigurie për të mbrojtur rrjetet kompjuterike të lidhura me infrastrukturën e zgjedhjeve.

Ata gjithashtu theksojnë se asnjë nga sistemet që regjistrojnë votat nuk është i lidhur me internetin dhe se 97% e votuesve amerikanë do të votojnë në zona, që janë të pajisura me fletë votime rezerve, për të shmangur vonesat nëse ka probleme me votimin elektronikë.