Abuzimet me fëmijët, Xhixho: Turp! Kemi një ligj për parandalimin e krimeve se*ksuale, nuk funksionon ende edhe pse raste të tilla vazhdojnë...
E ftuar ditën e sotme, në studion e lajmeve të "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë me "Skype", ishte zv. presidentja e PL, për të folur për rastet e shumta të krimeve seksuale në Shqipëri dhe për Ligjin për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale.
"Ky ligj, kishte 10 vite që flinte në syrtarët e Parlamentit, një kërkesë e Shoqërisë Civile dhe ka qenë një bashkëpunim i Shoqërisë Civile me mua si deputete, për futjen në proçedim legjislativ të këtij ligji shumë të rëndësishëm, për rastet që u denoncuan dhe në atë periudhë. Ju e mbani mend që patëm mësues pedofil në Berat, apo drejtor shkolle pedofil në Lushnje. Pra, ne nuk kishim një ndalim ligjor që këta persona që kishin një vendim gjykate të formës së prerë për dhunë seksuale të mund të mos përfshiheshin në sistemin arsimor.
Pas 1 viti luftë brenda Parlamentit, ne arritëm të kishim një ligj të miratuar me një unaminitet të deputetëve në 2022. Kam bërë dëgjesë me grupin e miqve për fëmijë, kam kërkuar informacion të detajuar nga institucionet përgjegjëse, qoftë nga Drejtoria e Burgjeve sepse regjistrin do ta prodhonte kjo drejtori dhe më pas këtë informacion do t'ia përcillte policisë dhe do të ishte i aksesueshëm në e-albania.
Pra, ne miratuam një ligj ku çdo qytetar të kishte një hapësirë brenda e-albanias për të aksesuar në qoftë se kishte dyshim për persona dhe aty do të dilte është apo jo në regjistër.
Nuk funksionon ende, është një turp i kësaj qeverie, që edhe pse ka një shqetësim të shtuar për raste të tilla, do të duhet dhe ndërgjegjësim i shoqërisë për ekzistencën e këtij regjistri, në mënyrë që prindërit të kontrollojnë, dhe jo vetëm prindërit por edhe mësuesit.
Fakti që sot nuk kemi një regjistër funksional, unë me të drejtë do të kërkojë një dëgjesë në Komisionin e Ligjeve dhe një interpelancë me ministrin e drejtësisë, Ulsi Manja, sepse është në varësinë e tij dhe përgjegjësinë e tij direkte Drejtoria e Burgjeve dhe institucionet që janë ngarkuar nga ligji për vënien në zbatim të tij.
Nuk mundemi më që të kemi një situatë kaq të ndjeshme, sidomos rasti i Maliqit, ku fatmirësisht shoqja e vajzës vuri në dijeni dhe ngriti alarmin për fatkeqësinë që mund të ndodhte. Nuk mund t'ia lëmë raste të tilla spontanitetit apo fatit", shprehu Xhixho.
INTERVISTA E PLOTË ME DEPUTETEN E PL-së ERISA XHIXHO


