SHBA e OKB kërkojnë bisedime për kontrollin e bankës qendrore të Libisë
Institucionet e mbështetura nga OKB në perëndim të Libisë nuk tërhiqen nga ankesat pas shkarkimit të guvernatorit të bankës qendrore të vendit.
E përditshmja britanike The Guardian shkruan se kriza ekonomike e përshkallëzuar nga rivaliteti për kontrollin e bankës qendrore të vendit, mund të shërohet me anë të diplomacisë, teksa ambasada amerikane atje mbështet përpjekjet e OKB për një takim emergjence të grupeve të përfshira.
Ambasadori amerikan Richard Norland, kërkonte një takim me palët duke thënë se përplasjet për administrimin e bankës që komandon paranë e vendit, “dëmton besimin në stabilitetin ekonomik e financiar në sytë e qytetarëve dhe të komuniteti ndërkombëtar, si dhe shton shanset e “konfrontimeve të dëmshme”.
Ambasada tha në një deklaratë: “Raportimet për arrestime arbitrare dhe intimidime të punonjësve të bankës qendrore janë shqetësuese, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Administrata pro perëndimore libiane e drejtuar nga Abdul Hamid Dbeibah, ka miratuar shkarkimin e guvernatorit të vjetër të bankës pas 20 vjetëve, për të vendosur një administratë të re.
Banka dominon ekonominë e vendit dhe kontrollon dy bankat tregtare me $27 miliardë rezerva, kryesisht nga nafta. Sadiq al-Kabir, guvernatori i shkarkuar, kishte kritikuar së fundmi shpenzimet e Dbeibah, dhe duket se flet në favor të forcave rebele që komandojnë në lindje.
Abdel Fattah Ghaffar, kryetari i ri i përkohshëm i emëruar nga Tripoli, është zotuar të zbusë krizën e parasë dhe të japë llogari te bordi guvernatorëve, shkruan The Guardian.
Ai i ka bërë thirrje Kabir të dorëzojë kodet që mundësojnë kryerjen e pagesave, duke sinjalizuar se çështja e operacioneve të bankës nuk është zgjidhur ende me administratën e larguar.
Kabir ka drejtuar bankën prej vitit 2011, kur lideri Muammar Gaddafi u përmbys dhe u vra me mbështejen e Perëndimit, çka solli dhe ndarjen e vendit në perëndimin pro-perendimor, e lindjen e drejtuar nga rebelët.
Administrata lindore tha dje se kundërshton shkarkimin e Kabir prandaj “do të pezullojë prodhimin e naftës deri në riemërimin e tij. Lindja kontrollon pjesën më të madhe të puseve të naftës.
Vendet perëndimore dhe OKB kanë shprehur shqetësime për mungesën e llogaridhënies nga banka qendrore libiane, duke thënë se kjo ngadalëson procesin e bashkimit të vendit. Ambasadori britanik Martin Longden, denonconte më herët “vendimet unilaterale që dëmtojnë vendin” dhe premtonte mbështetje për zgjidhjen ligjore për të mos ekspozuar Libinë ndaj rrezikut financiar”.
