Bullgaria në zgjedhjet e shtata parlamentare në më pak se katër vite

Bullgaria është vendosur për zgjedhjet e saj të shtata parlamentare, në më pak se katër vite, pasi një kabinet i përkohshëm u formua në Sofje pas disa javësh grindjesh politike.

Zgjedhjet e reja do të mbahen më 27 tetor, vetëm katër muaj pasi votuesit shkuan në qendrat e votimit në qershor, pas rënies së një koalicioni qeveritar të qendrës së djathtë.

Një kabinet i përkohshëm – i cili sipas ligjit kushtetues bullgar kërkohet të organizojë zgjedhje të ndershme – më në fund u betua sot nën kryeministrin e përkohshëm, Dimitar Glavçev.

Presidenti Rumen Radev kishte refuzuar në fillim të këtij muaji të miratonte një kabinet të përkohshëm nën drejtimin e Goritsa Grancharova-Kozhareva mes akuzave mbi përshtatshmërinë e ministrit të Brendshëm, Kalin Stojanov për rolin e tij.

Glavçev më pas ndërhyri për të vazhduar mandatin e tij si kryeministër i përkohshëm dhe për të organizuar zgjedhjet e reja, ndërsa Bullgaria kërkon të shmangë një përshkallëzim të krizës së saj të gjatë politike.

Administrata e re e përkohshme duhet gjithashtu të emërojë dy kandidatë nga Bullgaria në Komisionin e ri Evropian deri më 30 gusht.

Partia e qendrës së djathtë ”Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë” (GERB) ka propozuar tashmë ish-ministren e Jashtme, Ekaterina Zaharieva.

“Kriza politike nuk ka mbaruar”, paralajmëroi Radev. Pjesëmarrja pritet të jetë edhe më e ulët në zgjedhjet e ardhshme mes lodhjes së gjerë të votuesve.