Këshilltari amerikan i sigurisë viziton Kinën, për herë të parë pas tetë vitesh
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, u takua sot me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi në Pekin, në atë që është vizita e parë e tillë në tetë vite.
”Të dy u takuan në ditën e parë të vizitës së Sullivan në Kinë”, njoftoi televizioni shtetëror i Kinës. Ky është takimi i pestë mes të dyve. Sullivan synon të qëndrojë në Republikën Popullore deri të enjten.
Sullivan u prit në aeroportin e Pekinit nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme kineze dhe ambasadori i SHBA-së, Nicholas Burns. Pekini kishte theksuar më parë urgjencën e bisedimeve midis dy fuqive të mëdha. Marrëdhëniet kohët e fundit janë tensionuar shumë.
Një takim personal midis presidentit të SHBA Joe Biden dhe presidentit kinez Xi Jinping në nëntor ringjalli disi komunikimin midis të dy palëve.
Të dyja palët ka të ngjarë të diskutojnë çështje të tilla si lufta ruse kundër Ukrainës, konflikti në Lindjen e Mesme, tensionet në Detin e Kinës Jugore dhe çështjen e Tajvanit – përkatësisht trajtimin e republikës vetëqeverisëse të ishullit, të cilën Kina e konsideron pjesë të territorit të saj.
Tarifat doganore në tregtinë ndërmjet dy ekonomive më të mëdha ka të ngjarë të adresohen gjithashtu. Në maj, qeveria amerikane njoftoi planet për të vendosur tarifa speciale prej 100% për makinat elektrike nga Kina, duke i përjashtuar ato në mënyrë efektive nga tregu amerikan.
Këto masa e përshkallëzuan më tej konfliktin tregtar midis SHBA-së dhe Kinës, i cili vazhdon prej vitesh.
