Ministrja e Brendshme gjermane, Faeser: Veprime më të ashpra në rang rajonal për dëbimet
Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser po u kërkon qeverive rajonale në landet gjermane që të ndërmarrin veprime më të forta për të siguruar dëbimin e individëve, të cilëve u kërkohet ligjërisht të largohen nga vendi, pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit.
Në një intervistë të publikuar të martën nga gazetat e ”Funke Media Group”, Faeser deklaroi se ”ne kemi krijuar tashmë baza të reja ligjore gjithëpërfshirëse për më shumë riatdhesime, në mënyrë që ata që janë të detyruar të largohen të mos i shmangen deportimit”.
“Çelësi i suksesit është mbi të gjitha që fuqitë dhe rregulloret e reja të zbatohen gjithashtu në nivel lokal në lande dhe ato kanë çdo mbështetje nga qeveria”, shtoi ajo.
Faeser, një social-demokrate nga partia e kancelarit gjerman Olaf Scholz, i bëri komentet pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në Solingen. Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën rëndë gjatë një festivali të qytetit, të premten në mbrëmje.
Autori i dyshuar – një 26-vjeçar sirian, i cili është caktuar në paraburgim – supozohej të ishte deportuar në Bullgari vitin e kaluar pasi kërkesa e tij për azil në Gjermani ishte refuzuar.
Sulmi në shtetin e Rhine-Vestfalisë së Veriut shkaktoi valë tronditëse në të gjithë vendin dhe ka rindezur debatin mbi politikën e migracionit dhe deportimet.
Të shtunën, grupi terrorist Shteti Islamik pretendoi se sulmuesi kishte vepruar në emër të tij. Në fillim të vitit, Bundestagu miratoi ligje më të rrepta për të lehtësuar dëbimet. Ndër ndryshimet, kohëzgjatja maksimale ligjore për paraburgimin në pritje të dëbimit u zgjat nga 10 në 28 ditë.
