Mandati i Xhaçkës/ Zbulohet draft raporti i demokratëve: Fati i socialistes të vuloset në seancën e 12 shtatorit

Mandati i Olta Xhaçkës rikthen deputetët në tavolinat e tyre te punës.

Megjithëse 28 ligjvënës te opozitës kishin kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vendosi që më parë të thërrasë Këshillin e Legjislacionit.

Edhe pse vendimi nuk u prit mire nga demokratët ata kanë vendosur të mos braktisin betejën për ti hequr mandatin deputetes socialiste Olta Xhaçka te vënë nën akuze për përfitim te parëve publike përmes bashkëshortit investitor strategjik.

Është zbardhur dhe raporti i përgatitur nga deputetja demokrate Dhurata Çupi, e cila drejton sot Këshillin e Legjislacionit.

Për të shmangur çdo tentative për zvarritje nga ana e mazhorancës socialiste, demokratët do kërkojnë që kryeparlamentarja Spiropali te përfshijë në seancen e 12 shtatorit projektvendimin për dërgim menjëherë në Gjykatën Kushtetuese te mandatit te Xhaçkës, ndërsa i sugjerojnë që ti kujtojë deputetëve që kanë detyrimin vetëm për të votuar “PRO”.

“Mënyra e vetme për zbatimin e këtij vendimi te Gjykatës Kushtetuese është ndjekja e procedurës parlamentare si më poshtë:

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”, thuhet ne raportin e hartuar nga demokratja Dhurata Çupi.

Beteja e demokratëvë për mandatin e Olta Xhackës vijon prej dy vitesh mes ecejakeve Parlament-Gjykatë Kushtetuese. Opozita po nxiton ti heqe mandatin Xhackës para se ti mbarojë natyralisht pasi neni 66/a i ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, parashikon se kërkesa për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit mund të paraqitet në Kushtetuese jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të tij.

DRAFTRAPORTI:

KUVENDI

Këshilli për Legjislacionin

Draft

Dokument parlamentar

Tiranë, më 27 Gusht 2024

 

Drejtuar:

Kuvendit të Shqipërisë

Znj. Elisa Spiropali

Kryetare e Kuvendit

 

R A P O R T

 

I

KËSHILLIT PËR LEGJISLACIONIN

 

Lidhur me vendimin nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese[1]

Baza Ligjore:

·        Nenet 124 dhe 132 të Kushtetutës

·        Neni 81 i ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

·        Nenet 14 dhe 87 të Rregullores së Kuvendit

 

Miratuar:

Në mbledhjen e datës 27/08/2024 të Këshillit të Legjislacionit

I.                   HYRJE

 

1. Kuvendi i Shqipërisë përmes vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 ka vendosur për mosdërgimin e mocionit të 1/10 së deputetëve të Kuvendit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Më datë24.04.2024, një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit, në cilësinë e subjekteve kushtetuese jo më pak se 1/10 dhe jo më pak se 1/5 e deputetëve, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis tyre dhe Kuvendit të Shqipërisë. Më datë 21.06.2024 dhe 25.06.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike cështjen në prani të kërkuesit, Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit ligjor të deputetes znj. Olta Xhacka.

2. Më datë 10.07.2024 Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin e saj, përmes një konference publike të Kryetares së Gjykatës znj. Holta Zacaj (përmbajtja e deklaratës publike gjendet në Aneksin 1, bashkëlidhur këtij Raporti), si dhe publikoi në faqen zyrtare në internet dispozitivin e vendimmarrjes. Më datë 30.07.2024, vendimi i plotë i arsyetuar i Gjykatës Kushtetutese u shpall në faqen zyrtare në internet të Gjykatës Kushtetutese dhe iu njoftua zyrtarisht palëve në proces, përfshirë Kuvendit të Shqipërisë. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u publikua në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 7 Gusht 2024. Për pasojë, sipas pikës 2, të nenit 132 të Kushtetutës vendimi nr. 55/2024 i Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi më datë 7 Gusht 2024.

3. Vendimi nr. 55/2024 ka zgjidhur një konflikt kompetencash midis subjekteve kushtetuese 1/10 e deputetëve (kërkues të mocionit), si dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë rast, konflikti i kompetencave mund të përmblidhet sipas rrethanave të faktit si më poshtë:

3.1. Në datën 20.06.2022 një grup prej 14 deputetësh të pakicës parlamentare, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, i është drejtuar Kuvendit me mocion, sipas nenit 70, pika 4, të Kushtetutës, për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka (mocioni i parë), duke pretenduar ushtrimin nga kjo e fundit të funksionit të deputetes në kundërshtim me nenin 70 pikat 2 dhe 3, të Kushtetutës, me argumentet se shoqëria tregtare në pronësi të bashkëshortit të saj dhe, për rrjedhojë, edhe të deputetes në fjalë, ka përfituar të drejta pasurore nga pasuri të shtetit.

3.2. Në datën 01.07.2022 një grup tjetër prej 15 deputetësh, po të pakicës parlamentare, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, ka depozituar në Kuvend një kërkesë për mocion drejtuar Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (Këshilli për Mandatet) me të njëjtin objekt dhe argumente mbështetëse (mocioni i dytë).

3.3. Mocionet janë bashkuar, duke u shqyrtuar në një procedurë të vetme nga Këshilli për Mandatet. Në përfundim të shqyrtimit, pakica dhe shumica parlamentare në këtë këshill kanë prezantuar raportet përfundimtare, duke dalë me qëndrime të kundërta rreth plotësimit të kritereve kushtetuese për dërgimin nga Kuvendi të çështjes në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata). Raportet i kanë kaluar për shqyrtim seancës plenare të Kuvendit, i cili, me vendimin nr. 83, datë 17.11.2022 (vendimi nr. 83/2022), ka vendosur mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare, kurse me vendimin nr. 84, datë 17.11.2022 (vendimi nr. 84/2022) ka vendosur miratimin e raportit të shumicës parlamentare, sipas të cilit nuk plotësohen kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 70, pika 3, të Kushtetutës për vënien në lëvizje të Gjykatës, sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës. Në këtë mënyrë Kuvendi nuk e ka dërguar çështjen në Gjykatë.

3.4. Me kërkesën e datës 18.11.2022, një grup prej 14 deputetësh të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, i është drejtuar Gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar mes këtij subjekti dhe Kuvendit, si rrjedhojë e vendimeve të këtij të fundit nr. 83/2022 dhe nr. 84/2022, si dhe deklarimin e tyre të papajtueshme me Kushtetutën (çështja e parë).

3.5. Po në të njëjtën datë, një grup tjetër prej 28 deputetësh të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se 1/5-ta e deputetëve, i janë drejtuar Gjykatës, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022 dhe nr. 84/2022 të Kuvendit, si të papajtueshme me Kushtetutën dhe konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka (çështja e dytë).

3.6. Për çështjen e parë, me vendimin nr. 1, datë 23.01.2023 (vendimi nr. 1/2023), Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit dhe subjektit kushtetues në konflikt jo më pak se 1/10-ta e deputetëve dhe shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit nr. 83/2022 dhe nr. 84/2022, si të papajtueshme me Kushtetutën. Sipas Gjykatës, çështja e vlerësimit të papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka i takon vlerësimit të Gjykatës, pasi faktet kërkojnë shqyrtimin në themel, në mënyrë që të mund të përcaktohet nëse duhet të klasifikohen në parashikimet e nenit 70, pika 2 ose nenit 70, pika 3, të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Gjykata ka vlerësuar se Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe t’ia dërgonte asaj çështjen për shqyrtim, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues. Vendimi ka hyrë në fuqi në datën 28.02.2023, me botimin e tij në Fletoren Zyrtare nr. 32 të vitit 2023.

3.7. Për çështjen e dytë, me vendimin nr. 2, datë 23.01.2023 (vendimi nr. 2/2023), Gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit. Duke konstatuar se çështja kishte në objektin e saj dy kërkime, në lidhje me kërkimin e parë Gjykata ka vlerësuar se ai ka mbetur pa objekt, në kushtet kur vendimet objekt kërkese ishin shfuqizuar me vendimin e saj nr. 1/2023. Ndërsa për kërkimin e dytë, Gjykata ka vlerësuar se nuk kishte juridiksion për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes sipas pikës 2 të nenit 70 të Kushtetutës, kurse pretendimet sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës kishin marrë përgjigje me vendimin nr. 1/2023, duke vlerësuar se ato përfshiheshin në juridiksionin e saj, por se ky juridiksion nuk ishte aktivizuar ende për sa kohë Kuvendi nuk ia kishte dërguar çështjen asaj. Vendimi ka hyrë në fuqi po në datën 28.02.2023, me botimin e tij në të njëjtën Fletore Zyrtare.

3.8. Në datën 10.03.2023, bazuar në nenin 87 të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit ia ka përcjellë Këshillit për Legjislacionin vendimet nr. 1/2023 dhe nr. 2/2023 të Gjykatës. Në mbledhjet e këtij këshilli është diskutuar rreth qëndrimit të mbajtur nga Gjykata në këto vendime dhe, në kushtet kur midis përfaqësuesve të pakicës dhe shumicës parlamentare në këshill ka pasur qëndrime të ndryshme për detyrimet e përcaktuara nga Gjykata në vendimet e saj, me shumicën e anëtarëve të tij është vendosur caktimi i një eksperti të së drejtës kushtetuese për t’iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit në lidhje me këto vendime. Opinioni i ekspertit u është bërë i njohur anëtarëve në datën 27.06.2023, ndërsa në datën 07.07.2023 këshilli ka përgatitur raportin e tij për zbatimin e vendimeve të Gjykatës për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, i cili i është dërguar në vijim Kryetares së Kuvendit. Raporti nuk përmbante rekomandime, por vetëm analizë të vendimeve të Gjykatës që bazohej në interpretime të caktuara të normave kushtetuese e ligjore dhe qëndrimeve interpretuese të Gjykatës në lidhje me to. Në raport pakica parlamentare ka mbajtur qëndrimin se çështja duhej t’i kalonte seancës plenare për të vendosur dërgimin e saj në Gjykatë, ndërsa shumica parlamentare ka mbajtur qëndrimin se përpara se t’i kalonte seancës, çështja duhej të shqyrtohej nga Këshilli për Mandatet, si struktura kompetente e parashikuar nga neni 119/1 i Rregullores së Kuvendit.

3.9. Këshilli për Mandatet në mbledhjen e datës 08.04.2024 ka diskutuar mocionin për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në datat 09.04.2024 dhe 10.04.2024, respektivisht, deputetët e pakicës dhe të shumicës parlamentare kanë paraqitur raportet e tyre në lidhje me mocionin dhe zbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës, ndërsa është kërkuar që çështja t’i kalojë për shqyrtim seancës plenare. Kësaj të fundit, deputetët e pakicës i kanë kërkuar që të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatë, kurse deputetët e shumicës nuk kanë bërë rekomandime.

3.10. Me vendim të Kryetares së Kuvendit, projektvendimi “Mbi raportet e shumicës dhe pakicës së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe të mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” është bërë pjesë e rendit të ditës së punimeve të Kuvendit të datës 11.04.2024. Në seancën plenare të kësaj date, me vendimin nr. 41/2024, datë 11.04.2024 (vendimi nr. 41/2024), Kuvendi, me shumicën e votave, ka vendosur mosdërgimin në Gjykatë të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

3.11. Në datën 24.04.2024 një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit, në cilësinë e subjekteve kushtetuese jo më pak se 1/10-ta dhe jo më pak se 1/5-ta e deputetëve, i është drejtuar Gjykatës me kërkesë, me objekt: “1. Kundërshtimi i vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimi i këtij vendimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete se si zgjidhet ky konflikt dhe se si ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i saj nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet kur mazhoranca, me votim, ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen. Interpretimi përfundimtar i neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1 dhe 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.” 

3.12. Në datën 14.05.2024 Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike. Në vijim, në kontekst të rrethanave të rastit dhe referuar edhe kërkesës së kërkuesit, Gjykata konsideroi shqyrtimin e çështjes me përparësi, pas përgatitjes së saj për gjykim, duke garantuar të drejtat procedurale të palëve. Me vendimin nr. 55/2024, Gjykata Kushtetuese ka vendosur:

“1. Pranimin pjesërisht të kërkesës. 2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt jo më pak se 1/10-ta e deputetëve. 3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”.

 

4. Me shkresën nr. 3155 Prot., datë 07.08.2024, një grup prej 29 deputetësh i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit thirrjen e Kuvendit në sesion të jahstëzakonshëm, me qëllim zbatimin e vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e Kuvendit përmes shkresës nr. 3155/1 Prot., datë 08.08.2024 ka argumentuar se përpara mbledhjes së Kuvendit, duhet të mblidhet Këshilli i Legjislacionit. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 7, pika 6; nenit 14, pika 6; nenit 32 dhe nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit përmes urdhërit nr. 54, datë 08.08.2024, ka urdhëruar thirrjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit, në datë 27.08.2024, ora 11:00, me rend dite: “Shqyrtimin e vendimit nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese”.

 

5. Më datë 27 Gusht 2024 Këshilli për Legjislacion u mblodh sipas urdhrit të Kryetares së Kuvendit nr. 54, datë 08.08.2024, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit dhe në zbatim të nenit 14, pika 3, të Rregullores, Këshilli u kryesua nga znj. Dhurata Tyli (Çupi). Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit u parapri nga njoftimi i saj përmes postës elektronike nga administrata e Kuvendit, sëbashku me dokumentet parlamentare të nevojshme për zhvillimin e mbledhjes, përfshirë një kopje të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese; një Memo përmbledhëse të përmbajtjes së vendimit të përgatitur nga Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit; si dhe nga draft raporti i Këshillit i përgatitur nga Kryetarja e Këshillit, që mundëson shqyrtimin e vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Legjislacionit, në zbatim të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, mori në shqyrtim dhe analizoi efektet e vendimit nr. 55/2024, të Gjykatës Kushtetuese dhe dokumentet parlamentare të sipërcituara, nga ku konkludoi se vendimi nr. 55/2024 i Gjykatës Kushtetuese ka zgjidhur një konflikt kompetencash dhe nuk përfshihet në rastet kur ka nevojë për plotësim të legjislacionit apo ndërmarrjen e ndonjë iniciative ligjvënëse. Në këtë rast, Këshilli ka vetëm detyrimin për të paraqitur një raport këshillimor Kryetarit të Kuvendit, mbi detyrimet që i lindin Kuvendit të Shqipërisë, si subjekt në këtë konflikt kompetencash, sipas vendimit nr. 55/2024.

 

II.                BAZA LIGJORE

 

6.      Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

 

Neni 124 i Kushtetutës

1. Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.

2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

3. Gjykata Kushtetuese ka buxhet të veçantë, të cilin e administron në mënyrë të pavarur.

 

Neni 132 i Kushtetutës

1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

2.  Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.

3. Mendimi i pakicës publikohet bashkë me vendimin përfundimtar.

 

7.      Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese

 

Vendimi nr. 14, datë 03.06.2009, i Gjykatës Kushtetuese,  e cila është shprehur se: “Nenet 124, 132 dhe 145/2 të Kushtetutës shprehen qartësisht në lidhje me forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi të gjitha organet kushtetuese, autoritetet publike dhe gjykatat. Zbatimi i detyrueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues; ato kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Ato përbëjnë jurisprudencë kushtetuese dhe për rrjedhojë kanë efektet e forcës së ligjit (Shih vendimin nr. 5, datë 07.02.2001 të Gjykatës Kushtetuese). Asnjë organ tjetër, me përjashtim të vetë Gjykatës (dhe kjo lidhet me ndryshimin e praktikës, apo rishikimin e Kushtetutës) nuk mund të mos pranojë t’i zbatojë ato. Lënia në vlerësimin e organeve të tjera të vendimeve kushtetuese krijon precedentin e rrezikshëm për t’i mohuar këtij organi funksionin e garantit të Kushtetutës. Roli i Gjykatës qëndron pikërisht në fuqinë detyruese të vendimeve të saj. Formulimi që i ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë fuqisë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përcakton autoritetin e këtij organi dhe është e vetmja mënyrë e pranueshme për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjeve me natyrë kushtetuese.

Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit. Arsyetimi që përdor Gjykata në vendimet e saj buron nga autoriteti i saj për të thënë fjalën e fundit në çështjet, për të cilat të tjerët tashmë janë shprehur. Në respekt të doktrinës dhe të jurisprudencës kushtetuese Gjykata thekson se efekti detyrues shtrihet mbi argumentet thelbësore të vendimit të saj që përbëjnë edhe ratio decidendi, eliminimi i të cilave do ta bënte vendimin, në tërësinë e tij, të pakuptimtë (Shih vendimet BVerfGE 1, p. 14 dhe BVerfGE 20, p. 56 të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane). Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës është i tillë që iu imponon të gjithë organeve shtetërore, duke mos përjashtuar as gjykatat, fuqinë detyruese të arsyetimit të vendimit të saj.

 

8.      Ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

 

Neni 81

Ekzekutimi i vendimeve

1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim.

2. Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sigurohet nga Këshilli i Ministrave me anën e organeve përkatëse të administratës shtetërore.

3. Gjykata Kushtetuese, në varësi të llojit të vendimit dhe kur është e nevojshme, mund të caktojë në pjesën urdhëruese organin e ngarkuar me zbatimin e vendimit, si dhe mënyrën e ekzekutimit, duke caktuar afate konkrete, mënyrën dhe procedurën përkatëse të ekzekutimit.

4. Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.

 

9.      Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë

 

Neni 14 i Rregullores

1. Këshilli është organ këshillimor, që vlerëson ose jep mendim për çështje kushtetuese ose ligjore që ngrihen në lidhje me tekstin e projektligjit dhe për çështje të harmonizimit të projektligjit me aktet e tjera ligjore në fuqi ose me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.

 2. Këshilli për Legjislacionin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga Kryetari i Kuvendi, pasi ka marrë më parë mendimin e kryetarëve të grupeve parlamentare. Këshilli siguron përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Anëtarët e Këshillit janë me profesion jurist ose të kenë përvojë legjislative.

 3. Këshilli për Legjislacionin kryesohet me rotacion çdo 5 muaj nga secili anëtar, duke filluar sipas renditjes alfabetike të mbiemrit, duke ruajtur parimin e kryesimit një herë nga shumica dhe një herë nga pakica parlamentare.

 6. Kryetari i Kuvendit, bazuar në kërkesën e paraqitur, përcakton rendin e ditës. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë. Diskutimi i çështjeve në Këshill bëhet, për aq sa është e mundur, në mënyrën e parashikuar për komisionet e përhershme.

 

Neni 87 i Rregullores

1. Kryetari i Kuvendit i përcjell Këshillit për Legjislacionin vendimet e Gjykatës Kushtetuese për:

a) vlerësimin e kushtetutshmërisë së legjislacionit që ka nismëtar deputetin/deputetët;

b) interpretimin përfundimtar të Kushtetutës;

c) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencës kur Kuvendi është palë;

ç) shkarkimin e funksionarëve kushtetues, të cilët zgjidhen nga Kuvendi;

d) rastet kur kërkesa në Gjykatë Kushtetuese është paraqitur nga jo më pak se 1/5 e deputetëve.

2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë efekt në legjislacion, merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin brenda 30 ditëve pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.

3. Këshilli analizon dhe diskuton, sipas përcaktimeve të bëra në këtë Rregullore, efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për çështjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Këshilli harton një raport dhe ia paraqet atë Kryetarit të Kuvendit.

4. Raporti i Këshillit, kur çmohet e nevojshme, mund t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.

 5. Kur nevojitet marrja e nismës ligjvënëse për plotësime ose ndryshime në legjislacion, Këshilli i paraqet rekomandimet e nevojshme komisionit përgjegjës dhe nismëtarit, ose ndërmerr vetë nismën ligjvënëse.

 

III.             FAKTE DHE RRETHANA

 

      10. Kërkuesi jo më pak se 1/10-ta e deputetëve ka pretenduar se vendimi nr. 41/2024 i Kuvendit ka krijuar mosmarrëveshje kompetence mes tij dhe Kuvendit në lidhje me të drejtën për të kërkuar shqyrtimin e papajtueshmërisë me mandatin të deputetes Olta Xhaçka nga Gjykata, duke parashtruar se ai cenon:

10.1. Nenin 70, pika 1, të Kushtetutës, pasi, duke u fshehur pas parimit të mandatit të lirë (jodetyrues) të parashikuar në nenin 73, pika 1, të Kushtetutës, Kuvendi i ka shtrirë efektet e parimit të mandatit jodetyrues të deputetit për të bërë të paaplikueshëm detyrimin për të zbatuar vendimet e Gjykatës, duke cenuar në këtë mënyrë nenin 132 të Kushtetutës.

10.2. Nenin 70, pika 4, të Kushtetutës, pasi ka kufizuar të drejtën e jo më pak se 1/10-ës së deputetëve për të vënë në lëvizje procesin kushtetues të kontrollit të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Institucionalizimi i pushtetit të pakicës parlamentare, i materializuar në të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën, është bërë nga kushtetutëbërësi me qëllim shmangien e qëndrimeve politike nga ana e shumicës parlamentare. Nëse do të pranohej një interpretim i ndryshëm, pakica parlamentare do të diskriminohej në raport me shumicën parlamentare, për sa kohë që ushtrimi i kësaj të drejte kushtetuese do të ishte në diskrecionin e kësaj të fundit.

10.3. Standardin e zbatimit të detyrueshëm të vendimeve të Gjykatës, të garantuar nga neni 132 i Kushtetutës, nga i cili nuk përjashtohet as Kuvendi. Vendimi i kundërshtuar vendos një precedent të rrezikshëm, pasi krijon puç kushtetues institucional të tillë që vë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit demokratik. Neni 4 i Kushtetutës e lë në diskrecionin e organeve shtetërore interpretimin e Kushtetutës dhe mënyrën e zbatimit drejtpërdrejt të saj, por nuk u njeh atyre të drejtën e interpretimit përfundimtar, i cili bëhet nga Gjykata. Edhe pse me vendimin nr. 1/2023 Gjykata ka përcaktuar detyrimin e Kuvendit për t`i dërguar asaj çështjen e vlerësimit të pretendimeve të pakicës parlamentare në lidhje me pajtueshmërinë me mandatin të deputetes Olta Xhaçka për shkaqe që kanë të bëjnë me nenin 70, pika 3, të Kushtetutës, me vendimin nr. 41/2024, duke interpretuar vetë dispozitat kushtetuese, Kuvendi ka vendosur, sërish, mosdërgimin e çështjes në Gjykatë, me qëllim pengimin e zbatimit të vendimit nr. 1/2023 të saj. Duke keqinterpretuar dispozitat kushtetuese dhe rolin e tij, Kuvendi ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës, duke i mohuar asaj ushtrimin e kompetencave që i njeh Kushtetuta.

10.4. Parimin e zgjidhjes së konfliktit mes pushteteve përmes drejtësisë kushtetuese, pasi në mënyrë të përsëritur mazhoranca i ka mohuar pakicës parlamentare të drejtën kushtetuese që t’i drejtohet Gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, me qëllim sigurimin e ushtrimit të të drejtave të saj. Shqyrtimi nga Gjykata i së njëjtës çështje ndërmjet të njëjtave palë nuk përbën res judicata, pasi në rastin konkret bëhet fjalë për pretendime të reja për antikushtetutshmërinë e pretenduar.

10.5. Parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, për shkak të mosmarrëveshjes së kompetencave të krijuar midis subjekteve kushtetuese brenda të njëjtit pushtet, jo më pak se 1/10-ës së deputetëve, nga njëra anë, dhe Kuvendit, nga ana tjetër. Edhe pse në përmbajtjen e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk është përdorur termi “është i detyruar”, kjo nuk nënkupton se vlerësimi në këtë rast është në kompetencë të Kuvendit. Nëse do të pranohej një pushtet i tillë i pakufizuar i Kuvendit, atëherë parashikimi kushtetues do të zhvishej nga qëllimi i tij, çka do të përbënte abuzim me pushtetin e shumicës.

 

      11. Në vendimin e plotë nr. 55/2024, një kopje të të cilit e gjeni në Aneksin 2 bashkëlidhur këtij Raporti, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dhe arsyetuar në mënyrë të përmbledhur sa më poshtë:

            11.1. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 1/2023 ka shprehur qartë detyrimin e Kuvendit që me vendim të dërgojë kërkesën për papajtueshmërinë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka sipas nenit 70, pika 4, të Kushtetutës para kësaj Gjykate, si organi i vetëm që do të shqyrtojë në themel faktet, për të përcaktuar nëse ato duhet të klasifikohen në parashikimet e pikës 2 ose pikës 3 të nenit 70, të Kushtetutës.

            11.2. Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132 i Kushtetutës. Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës.

            11.3. Çështja e vlerësimit të papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes, e cila nëpërmjet bashkëshortit mund të ketë ushtruar veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe të ketë fituar pasuri të këtyre, referuar fakteve, nuk i takon vlerësimit të Kuvendit, por vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ato (faktet) kërkojnë shqyrtimin në themel, në mënyrë që të mund të përcaktohet nëse duhet të klasifikohen në parashikimet e nenit 70, pika 2 ose nenit 70, pika 3, të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Kuvendi duhej të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.

11.4. Procedura e vendimmarrjes së Kuvendit, që është kundërshtuar në këtë gjykim dhe votimi i deputetëve në atë rast, nuk mund të përligjet me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës nuk është një çështje politike, rast në të cilin Kuvendi ka hapësirë vlerësimi dhe deputeti gëzon lirinë e zgjedhjes së qëndrimit përmes votimit sipas mandatit të lirë.  Parimi kushtetues i mandatit të lirë të një deputeti nuk mund të kuptohet si liri absolute e tij, që nuk kufizohet nga Kushtetuta dhe ligjet, për të vepruar në një mënyrë të tillë që Kuvendi të mos jetë në gjendje të zbatojë kërkesat që burojnë nga Kushtetuta dhe të miratojë vendime të papajtueshme me të. Kjo liri në votim e deputetit u nënshtrohet kufizimeve që rrjedhin nga parimet e supremacisë së Kushtetutës, të shtetit të së drejtës dhe të kushtetutshmërisë, element i të cilave është edhe detyrueshmëria e zbatimit të vendimeve të Gjykatës. Në këtë kuptim, parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij.

11.5. Kuvendi, si interpretuesi i parë i normës kushtetuese, mund të ndërhyjë deri atje dhe vetëm për ato çështje që Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, si organi i vetëm që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës sipas nenit 132 të saj. Nëse kjo ka ndodhur, Kuvendi nuk mund të ushtrojë më rolin e interpretuesit të parë të normës kushtetuese. Kuvendi në rastin konkret shfaqet në pozitat e çdo organi/institucioni që është i detyruar të veprojë në përputhje me përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato.

11.6. Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare, votim në të cilin gjente zbatim parimi i mandatit jodetyrues. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare, por një procedurë për ekzekutimin e një detyrimi konkret të lindur prej tij, sikurse është ai për dërgimin asaj të çështjes së papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të ngritur mbi mocionin e 1/10-ës së deputetëve.

11.7. Në kontekst të rrethanave të rastit dhe në raport me përcaktimet e nenit 66/a, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje me afatin maksimal të paraqitjes asaj të kërkesës nga Kuvendi, konsideron të theksojë se shqyrtimi i çështjes nga Kuvendi duhet të bëhet me përparësi, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj....... Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

 

      12. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, përmes vendimit nr. 55, datë 10.07.2024, ka vendosur përfundimisht: “3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

 

IV.             DISKUTIMI, ANALIZA DHE ARSYETIMIT I EFEKTEVE TË VENDIMIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE  NË  KËSHILLIN PËR  LEGJISLACIONIN 

 

13. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u morë në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin bazuar në nenin 132 të Kushtetutës dhe nënit 87 të Rregullores së Kuvendit. Në mbledhjen e këtij Këshilli, u analizuan efektet e këtij vendimi dhe sesi Kuvendi duhet të reflektojë zbatimin e tij. Këshilli i Legjislacionit në mbledhjet e datës 27.08.2024 diskutoi rreth arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese dhe detyrimit qëështë përcaktuar në mënyrë të shprehur në dispozitivin e vendimit, jo thejshtë për shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024 të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe detyrimin konkret të shprehur për dërgimin për shqyrtim të mocionit të 1/10 për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka në Gjykatën Kushtetuese.

 

14. Këshilli vëren se Gjykata Kushtetuese, në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka hapësirë për të vlerësuar sërish ato. Sipas Gjykatës Kushtetuese Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare, votim në të cilin gjente zbatim parimi i mandatit jodetyrues. Këshilli konstaton se Gjykata Kushtetuese është shprehur se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare, por një procedurë për ekzekutimin e një detyrimi konkret të lindur prej tij, sikurse është ai për dërgimin asaj të çështjes së papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të ngritur mbi mocionin e 1/10-ës së deputetëve.

 

      15. Këshilli gjithashtu vëren se Gjykata Kushtetuese është shprehur se procedura e vendimmarrjes së Kuvendit dhe votimi i deputetëve në atë rast, nuk mund të përligjet me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës nuk është një çështje politike, rast në të cilin Kuvendi ka hapësirë vlerësimi dhe deputeti gëzon lirinë e zgjedhjes së qëndrimit përmes votimit sipas mandatit të lirë.  Sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese parimi kushtetues i mandatit të lirë të një deputeti nuk mund të kuptohet si liri absolute e tij, që nuk kufizohet nga Kushtetuta dhe ligjet, për të vepruar në një mënyrë të tillë që Kuvendi të mos jetë në gjendje të zbatojë kërkesat që burojnë nga Kushtetuta dhe të miratojë vendime të papajtueshme me të. Kjo liri në votim e deputetit u nënshtrohet kufizimeve që rrjedhin nga parimet e supremacisë së Kushtetutës, të shtetit të së drejtës dhe të kushtetutshmërisë, element i të cilave është edhe detyrueshmëria e zbatimit të vendimeve të Gjykatës. Në këtë kuptim, sipas Gjykatës Kushtetuese parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij.

 

16. Në këtë mënyrë, për anëtarët e Këshillit të Legjislacionit, në kuptim të neneve 124 dhe 132 të Kushtetutës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për zbatim dhe mënyra e vetme e zbatimit të tij është përmes një vendimmarrje të detyrueshme nga Kuvendi për të dërguar në Gjykatën Kushtetuesepër shqyrtim mocionin e 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka.

 

NË PËRFUNDIM:

 

Këshilli për Legjislacionin, i mbledhur me datë 27.08.2024, ora 11.00, konstaton se:

1. Me vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetutese është zgjidhur një konflikt kompetencash midis 1/10 së deputetëve, anëtarë të pakicës parlamentare, dhe Kuvendit të Shqipërisë.

2. Vendimi nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” i Kuvendit të Shqipërisë, është shpallur si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3. Gjykata Kushteteuse ka përcaktuar shprehimisht detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash.

            4. Parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij.

5. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare, por një procedurë për ekzekutimin e një detyrimi konkret të lindur prej tij, sikurse është ai për dërgimin asaj të çështjes së papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të ngritur mbi mocionin e 1/10-ës së deputetëve.

 

PËR TË GJITHA ARSYET SI MË LART,

 

Në mbështetje të neneve 124 dhe 132 të Kushtetutës; nenit 81 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; si dhe neneve 14 dhe 87 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Legjislacionit i paraqet këtë Raport Kryetares së Kuvendit,

 

DUKE REKOMANDUAR SA MË POSHTË:

 

Në përputhje me vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me përcaktimin në vendim se: “në kontekst të rrethanave të rastit dhe në raport me përcaktimet e nenit 66/a, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje me afatin maksimal të paraqitjes asaj të kërkesës nga Kuvendi, konsideron të theksojë se shqyrtimi i çështjes nga Kuvendi duhet të bëhet me përparësi, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj.”...... “Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”;

MËNYRA E VETME PËR ZBATIMIN E KËTIJ VENDIMI TË GJYKATËS KUSHTETUESE ËSHTË NDJEKJA E PROCEDURËS PARLAMENTARE SI MË POSHTË:

 

1.      Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.

 

2.      Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

 

3.      Kryetarja e Kuvendit duhet të informojëdeputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

 

4.      Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.

 

Një kopje e ketij raporti i dorëzohet Kryetares së Kuvendit, një kopje ruhet në Zyrën e Arkivës së Kuvendit, dhe një kopje i shpërndahet për dijeni deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Me dorëzimin e këtij Raporti, përgjegjësia e Këshillit për Legjislacionin sipas nenit 87 të Rregullores së Kuvendit konsiderohet e përmbushur.

 

Në mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin u diskutua dhe morën pjesë anëtarët e Këshillit, sipas zbardhjes së bërë në procesverbalin e mbledhjes së datës 27.08.2024.

 

Me respekt,

 

KËSHILLI PËR LEGJISLACIONIN

 

KRYETARE

DHURATA TYLI (ÇUPI)

 

 

 

 

 

 

 

ANEKSI 1 – DEKLARATË PUBLIKE E GJYKATËS KUSHTETUESE, PËRMES KRYETARES SË GJYKATËS ZNJ. HOLTA ZAÇAJ

 

Tiranë, më 30.07.2024

 

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 21.06.2024 dhe 25.06.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo më pak se 1/5 e deputetëve të tij, me objekt:

 

1.      “Kundërshtimi i vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese per papajtueshmerine me mandatin te deputetes Olta Xhacka” dhe deklarimi i këtij vendimi si papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

2.      Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete se si zgjidhet ky konflikt dhe se si ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet kur mazhoranca, me votim, ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

3.      Interpretimi përfundimtar i neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1, 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shqyrtimi i çështjes me përparësi, për shkak të interesit të lartë publik që paraqet.”.

 

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, sot më datë 10.07.2024, konstatoi se vendimi i saj nr. 1, datë 23.01.2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

 

Gjykata vlerësoi se përmes vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

 

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit.

Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim në respekt të nenit 132, pika 1, i Kushtetutës. kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1.                  Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.

 

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe  Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

ANEKSI 2 – VENDIMI NR. 55, DATË 10.07.2024 I GJYKATËS KUSHTETUESE, BOTUAR NË FLETOREN ZYRTARE NR. 139, DATË 07.08.2024


[1] Hyr në fuqi më 07.08.2024, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 07.08.2024