Winfrey kritikon ashpër JD Vance për komentet fyese ndaj grave pa fëmijë

Prezantuesja e njohur amerikane, Oprah Winfrey kritikoi ashpër kandidatin republikan për zëvendëspresident, JD Vance gjatë një fjalimi të befasishëm në konventën e Partisë Demokratike në Çikago, duke adresuar vërejtjet e diskutueshme të JD Vance për gratë pa fëmijë.

Vance kishte bërë më parë komente përçmuese për gratë pa fëmijë, duke i quajtur ato “mace pa fëmijë”. Winfrey e trajtoi këtë çështje duke vënë në dukje se amerikanët janë më të bashkuar nga sa mund të mendojnë disa.

“Kur një shtëpi digjet, ne nuk pyesim racën apo fenë e pronarit. Ne nuk pyesim se kush është partneri i tyre dhe si votuan”, theksoi ajo.

“Jo, ne thjesht përpiqemi të bëjmë më të mirën për t’i shpëtuar ata. Dhe nëse shtëpia i përket një zonje maceje pa fëmijë, mirë, ne përpiqemi ta nxjerrim edhe atë mace”, theksoi Oprah.

Edhe pse ajo nuk e përmendi JD Vance ose kandidatin republikan presidencial Donald Trump me emër, ajo aludoi për nevojën për t’u mbrojtur kundër ngacmuesve për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë.

Winfrey theksoi rëndësinë e mirësjelljes dhe respektit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe u bëri thirrje votuesve të pavarur dhe të pavendosur që ta marrin parasysh këtë kur bëjnë zgjedhjen e tyre.

Ajo gjithashtu inkurajoi zgjedhjen e “optimizmit mbi cinizmin” dhe “arsyes së shëndoshë në vend të marrëzive”, duke shtuar se Kamala Harris, kandidatja demokrate presidenciale, përfaqëson të gjitha këto.

Winfrey u bë me famë botërore dhe miliardere përmes një talk show-t të saj të suksesshëm që u transmetua në televizionin amerikan për dekada. Ajo ka arritur statusin ikonë në SHBA dhe është një nga gratë më me ndikim në vend.