Rusia u kërkon banorëve të Kurskut dhe ushtarëve të rrisin sigurinë në internet

Ministria e Brendshme ruse u kërkoi banorëve – në tre rajonet kufitare pranë Ukrainës – të çaktivizojnë aplikacionet e takimeve dhe kamerat e vëzhgimit në internet.

“Armiku identifikon adresat IP në territorin tonë në një shkallë të gjerë dhe lidhet nga distanca me kamera të pasigurta që monitorojnë gjithçka, nga oborret private deri te rrugët dhe autostradat me rëndësi strategjike”, tha ministria.

Ajo gjithashtu këshilloi kundër përdorimit të shërbimeve të takimeve në internet, të cilat mund të përdoren gjithashtu për mbledhjen e informacionit.

Ministria e Brendshme këshilloi ushtarët rusë të mos hapin mesazhe nga dërguesit e panjohur dhe të fshijnë gjithashtu bisedat me shokët nëse janë zënë robër lufte.

Banorët e rajoneve kufitare janë këshilluar gjithashtu të mos ndajnë video-incizime të autokolonave ushtarake në rrjetet sociale.

Ushtarëve, oficerëve të policisë dhe oficerëve të inteligjencës u njoftuan të fshijnë fotot që i identifikonin ata si anëtarë të këtyre shërbimeve nga celularët e tyre.

Për më tepër, pseudonimet si “Lyosha FSB” duhet të shmangen. FSB është shërbimi i brendshëm i inteligjencës ruse.

“Punonjësit e sektorit të energjisë, duke përfshirë industrinë bërthamore, duhet të heqin lidhjet e tyre profesionale nga rrjetet sociale në mënyrë që ata të mos vendosen në fokusin e shërbimeve të inteligjencës armike”, sipas ministrisë.