Presidencialet/ Kandidatja demokrate Harris: Gara kundër Trump do të jetë e ngushtë

Kandidatja demokrate presidenciale e SHBA-së, Kamala Harris është zotuar të luftojë fort në pjesën e fundit të fushatës, duke i kërkuar partisë së saj që të përgatitet për një “garë të ngushtë” kundër republikanit Donald Trump ndërsa ajo iu drejtua mbështetësve në një tubim në Miluoki.

“Ne e dimë se kjo do të jetë një garë e ngushtë deri në fund. Kemi punë të vështirë përpara nesh, por na pëlqen puna e vështirë. Puna e vështirë është punë e mirë”, tha Harris.

“Jo, jo, nuk kemi fituar ende”, vazhdoi 59-vjeçarja duke iu përgjigjur thirrjeve të publikut.

“Kemi edhe 77 ditë punë për të bërë”, tha ajo.

Edhe pse Harris është pak përpara sfidantit të saj republikan në sondazhet kombëtare, epërsia e saj shpesh bie brenda kufirit të gabimit.

Harris u konfirmua zyrtarisht dje si kandidatja presidenciale demokrate për zgjedhjet e nëntorit, në konventën kombëtare të partisë në Çikago.

Menjëherë pas kësaj, Harris u shfaq para mbështetësve në Miluoki.

Ngjarja u zhvillua në të njëjtën sallë ku republikanët mbajtën kongresin e tyre, rreth një muaj më parë.

Harris siguroi mbështetësit e saj se do të fitonin zgjedhjet presidenciale më 5 nëntor, por theksoi nevojën për punë të palodhur për të siguruar fitoren.

“Nuk jemi vetëm kundër Donald Trump. Bëhet fjalë për dy vizione shumë të ndryshme për kombin tonë”, theksoi ajo.