Goditi dhe la të vdekur në rrugë 69-vjeçarin, dënohet me kusht djali i dekanit Gasper Kokaj

Është dënuar me 3 vite burgim Kristjan Kokaj, djali i Dekanit të Fakultetit Juridik në Shkodër, Gasper Kokaj.

Vendimi për dënimin e Kokaj është marrë nga gjyqtari Tonin Stërkaj, i cili e ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 3 vite burgim për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qakullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Por ky dënim me burg është pezulluar, duke e kaluar vuajtjen e dënimin në periudhë shërbimi prove, me kusht që Kristjan Kukaj të mos kryejë asnjë vepër penale.

Sipas dosjes hetimore viktimë e aksidentit me makinën që drejtohej nga Kristjan Kokaj, ka mbetur 69-vjeçari Martin Pjetri nga fshati Troshan i Shkodrës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 29 nëntor 2023 rreth orës 20:40,në vendin e quajtur “Freskia”. Pas aksidentit me vdekje, Kristjan Kokaj rezulton të jetë larguar nga vendi i aksidentit, duke braktisur automjetin tip “Peuget” në ambientet e një karburanti që ndodhet në rrugën Koplik-Hani i Hotit, në pronësi të xhaxhait të tij, Edi Kokaj.

Makina me të cilën u godit për vdekje Martin Pjetri, është arritur të identifikohet dhe lokalizohet përmes këqyrjes së një seri pamjesh filmike të sekuestruara nga policia e Shkodrës.

Nga këqyrja e mjetit është konstatuar se makina ka pasur një pjesë të kofanos të shtrembëruar dhe xhamin e parë të thyer. Me zbulimin e makinës është arritur të zbulohet dhe pronari Kristjan Kokaj, i cili më pas është arrestuar.

Gjatë marrjes në pyetje djali i dekanit të fakultetit Juridik në Shkodër, Kristjan Kokaj, ka deklaruar se ditën e ngjarjes në mbrëmje po kthehej nga zona e Velipojës në drejtim të Shkodrës.

Ai ndodhej vetëm në makinën tip “Peuget” ngjyrë të zezë, kur teksa po drejtonte mjetin në zonën e quajtur “Freskia”, në ecje e sipër ka dëgjuar një si zhurmë që u përplas në mjetin e tij dhe ka vënë re se xhami në anën e djathtë të makinës është thyer.

Kokaj më tej tregon se ka ulur shpejtësinë e makinës, por nuk ka ndaluar plotësisht pasi sipas tij ka vërejtur nga pasqyrat e mjetit dhe nuk ka parë gjë të dyshimtë duke vijuar rrugën në drejtim të karburantit të xhaxhait të tij, Eduart Kokaj.

Nga ambientet e këtij karburanti, Kokaj me një mjet tjetër është larguar në drejtim të Shtëpisë në Shkodër. Por pavarësisht nga ky deklarim Kokaj është arrestuar nga policia dhe më pas ndaj tij është vendosur masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Ndërkohë sipas një dosje tjetër (Metamorfoza) të regjistruar në SPAK, Kristjan Kokaj, është njeriu që identifikoi plotësisht Behar Brajoviq alias Bajri, si përdorues të aplikacion “SKY” me kodin TIV9E3, me të cilin kishte realizuar disa foto brenda audit të blinduar.