Djali i dekanit të Juridikut në Shkodër, i pandehur për dy akuza. Goditi e la të vdekur në rrugë 69-vjeçarin Martin Pjetri

Kristjan Kokaj, njeriu që identifikoi plotësisht Behar Brajoviq alias Bajri si përdorues të aplikacion “SKY” me kodin TIV9E3, rezulton të jetë marë i pandehur nga prokuroria e Shkodrës, për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e një personi dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Tashmë çështja kundër tij pritet të gjykohet në Shkodër dhe Kokaj të dënohet.

Ky personazh që rezulton të jetë dhe një nga 19 dëshmitarët e SPAK në dosjen “Metamorfoza”, aktualisht ndodhet me masën e sigurisë “arrest në shtëpie” të vendosur nga gjyqtarja e Shkodrës, Egla Mirashi.

Kjo masë sigurimi është vendosur, pasi Kokaj ka paraqitur në gjykatë dhe prokurorinë e rrthit, një deklaratë noteriale, ku tregonte se kishte normalizuar marëdhënien me anëtarët e familjes së viktimës së aksidentit.

Kokaj rezulton të jetë djali i Gasper Kokaj, Dekanit të Fakultetit Juridik në Shkodër dhe njihet si mik i afërm i Behar Bajrit, kapobandës që aktualisht është arrestuar nga SPAK gjatë operacionit “Metamorfoza”.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se viktimë e aksidentit me makinën që drejtohej nga Kristjan Kokaj, ka mbetur 69-vjeçari Martin Pjetri nga fshati Troshan i Shkodrës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 29 nëntor 2023 rreth orës 20:40,në vendin e quajtur “Freskia”, por çuditërisht asnjë nga mediat e Shkodrës apo dhe portalet në Shqipëri, nuk e kanë transmetuar lajmin.

Pas aksidentit me vdekje, Kristjan Kokaj rezulton të jetë larguar nga vendi i aksidentit, duke braktisur automjetin tip “Peuget” në ambjentet e një karburanti që ndodhet në rrugën Koplik-Hani i Hotit, në pronësi të xhaxhait të tij, Edi Kokaj.

Makina me të cilën u godit për vdekje Martin Pjetri, është arritur të identifikohet dhe lokalizohet përmes kqyrjes së një seri pamjesh filmike të sekuestruara nga policia e Shkodrës.

Nga kqyrja e mjetit është konstatuar se makina ka pasur një pjesë të kofanos të shtrembëruar dhe xhamin e parë të thyer.

Me zbulimin e makinës është arritur të zbulohet dhe pronari Kristjan Kokaj, i cili më pas është arrestuar.

Gjatë marjes në pyetje djali i dekanit të fakultetit Juridik në Shkodër, Kristjan Kokaj, ka deklaruar se ditën e ngjarjes në mbremje po kthehej nga zona e Velipojës në drejtim të Shkodrës.

Ai ndodhej vetëm në makinën tip “Peuget” ngjyrë të zezë, kur tekas po drejtonte mjetin në zonën e quajtur “Freskia”, në ecje e sipër ka dëgjuar një si zhurmë që u përplas në mjetin e tij dhe ka vënë re se xhami në anën e djathtë të makinës është thyer.

Koka më tej tregon se ka ulur shpejtësinë e makinës, por nuk ka ndaluar plotësisht pasi sipas tij ka vërejtur nga pasqyrat e mjetit dhe nuk ka parë gjë të dyshimtë duke vijur rrugën në drejtim të karburantit të xhaxhait të tij, Eduart Kokaj.

Nga ambjentet e këtij karburanti, Kokaj me një mjet tjetër është larguar në drejtim të Shtëpisë në Shkodër. Por pavarësisht nga ky deklarim Kokaj është arrestuar nga policia dhe më pas ndaj tij është vendosur masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, masë e cila vijon të jetë ende në fuqi.