Kosova lehtëson votimin e Diasporës/ KQZ sqaron ligjin e ri: Procesi do të ndahet në dy faza kryesore

Me dekretimin e 9 shkurtit si datën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur punën edhe për aplikimin e ligjit të ri elektoral që prek dhe votën e diasporës.

Zëdhënësi i KQZ Valmir Elezi, në një intervistë për Ekonomia Online sqaroi si do të procedohet për votën e emigranteve.

Ai shpjegoi se vota e diasporës do të ndahet në dy faza, aplikimin për t’u regjistruar si zgjedhës dhe votimin për të gjithë personat që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit.

Ndërkohë, gjatë fazës së dytë, përveç mënyrës se si do të votojnë zgjedhësit e diasporës, do të përcaktohet edhe periudha se kur votuesi do të mund të votojë.

KQZ përmes akteve nënligjore përcakton kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike të shndërruara në hapësira votimi si dhe do të përcaktojë numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike.