Rritja ekonomike, nga turizmi e ndërtimi/ BSH: Bizneset po vuajnë për krah pune! Rritet me 21% portofoli i kredisë në lekë

Ndërtimi, turizmi dhe shërbimet janë sektorët që kanë ndikuar në rritjen e ekonomisë së vendit me 3.6 për qind. Në analizën e muajve të parë të vitit Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen për mungesën e punonjësve çka bën që biznesi të mos shtojë edhe më tej aktivitetin. Ndërkaq kreditimi po ashtu ka dhënë sinjale pozitive

Në analizën financiare Banka e Shqipërisë raporton një rritje me 3.6 për qind të ekonomisë së vendit. Ndërsa sërish ndërtimi dhe  shërbimet kanë qenë motorët kryesor të zhvillimit.

Madje edhe turizmi në tre muajt e parë ka qenë në nivele më të larta se viti i shkuar.

Kërkesa për kredi ka qenë sërish e lartë, kjo si për investime nga bizneset, për blerje banese, apo dhe për konsum. Ndërsa konstatohet se ka më pak refuzime nga bankat.

Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli: “Ajo predominohet nga rritja e portofolit të kredisë në lekë, e cila aktualisht ka një rritje vjetore prej 20%, por ka një kontribut pozitiv edhe nga rritja e portofolit të kredisë në valutë. Ky fluks kredie që shkon për sektorin privat shqiptar, i ka shërbyer si bizneseve, kryesisht për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, pra ka qenë një kredi e orientuar drejt financimit të investimeve, por gjithashtu ka mbuluar edhe nevojat e familjeve shqiptare, qoftë për investime, blerje banesash apo investime në sektorin rezidencial, qoftë për kredi konsumi, kuptohet për nevojat e familjeve shqiptare”.

Rritja e punësimit vazhdon me një mesatare prej 12.7 për qind, por Banka e Shqipërisë vëren se bizneset kanë vështirësi në gjetjen e krahut të punës.

Ndaj dhe në sektorin privat vihet re kërkesa për rritjen e pagave, pasi mungesa e stafit shkakton frenimin e zgjerimit.

Sa i përket inflacionit, institucioni qendror financiar në vend shprehet se ka një frenim të rritjes së çmimit dhe se gjithçka po shkon drejt stabilitetit.

Portofoli i kredisë për individët ka pësuar një rritje vjetore prej 14.8%, rreth 1.2 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e parë. Në Raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, thuhet se kreditë për blerje banese kanë pasur një ritëm më të shpejtë rritjeje se kreditë konsumatore.

Konkretisht, kreditë për blerje banese u rritën me 16.4% nga 14.8% në tremujorin e parë, ndërsa kreditë konsumatore patën një zgjerim më të moderuar, duke u rritur me 15.2%, vetëm 0.4 pikë përqindje më shumë.

Nga ana tjetër, kreditë për bizneset kanë pasur një rritje vjetore prej 14%, rreth 4 pikë përqindje më të lartë se ajo e shënuar mesatarisht në tremujorin e parë. Rritja e kredisë për biznes u ndikua nga rritja e fortë e kredisë për investime.