Xhixho: Emigrimi masiv ka boshatisur shkollat! Kjo dramë të cilën qeveria përpiqet ta fshehë është sot kërcënimi më i madh për vendin

Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se emigrimi masiv i shqiptarëve ka boshatisur shkolla dhe universitete.

“Kjo dramë të cilën qeveria përpiqet ta fshehë është sot kërcënimi më i madh për të ardhmen e vendit. Sipas censit, numri i individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar në vitin shkollor 2023-2024 ishte 317.213 nxënës, ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit, arsimin parauniversitar gjatë këtij viti shkollor e ndoqën 349.827 nxënës”, tha Xhixho, përmes një deklarate për mediet.

Sipas saj, “Ministria e Arsimit ka raportuar shifra të fryra, për të mbuluar dështimin e saj në politikat arsimore, por edhe dështimin e qeverisë në politikat sociale”.

Xhixho theksoi se Partia e Lirisë e ka luftën kundër shpopullimit të vendit, prioritetin numër 1, ndër 5 prioritetet e saj.

Deklarata e Zëvendës-Presidentes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho

Emigrimi masiv i shqiptarëve ka boshatisur shkolla dhe universitete. Kjo dramë të cilën qeveria përpiqet ta fshehë është sot kërcënimi më i madh për të ardhmen e vendit.

Përmasa e vërtetë e kësaj drame reflektohet në shifrat e censit që gjithashtu është pjesë e manipulimit qeveritar, por që gjithsesi nuk mund të fshehë mashtrimet e Ministrisë e Arsimit.

Sipas censit, numri i individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar në vitin shkollor 2023-2024 ishte 317.213 nxënës, ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit, arsimin parauniversitar gjatë këtij viti shkollor e ndoqën 349.827 nxënës.

Pra, Ministria e Arsimit ka raportuar 32.614 nxënës më shumë, sesa janë ulur realisht në bankat e shkollës.

Praktikisht, ndryshe nga sa referon Ministria e Arsimit, janë 27 mijë nxënës më pak në sistemin 9-vjeçar, dhe rreth 5 mijë nxënës më pak në shkollat e mesme.

Pra, Ministria ka raportuar shifra të fryra, për të mbuluar dështimin e saj në politikat arsimore, por edhe dështimin e qeverisë në politikat sociale.

Ministria e Arsimit ka gënjyer me numrin e nxënësve, dhe as censi qeveritar me shumë problematika nuk mundi ta mbulojë dot këtë gënjeshtër.

Ka gënjyer siç gënjeu studentët e degëve prioritare për bursa sa paga minimale, apo siç gënjeu mijëra nxënës me bursa studimi për në SHBA.

Agjenda e shpopullimit të vendit është një projekt i Kryeministrit Rama, ku rasti më flagrant janë studentët e mjekësisë. Në vend që të rriste pagat mjekëve dhe të krijonte më shumë kushte për ta, qeveria vendosi të luftojë largimin e mjekëve, me arrogancën e pushtetit duke i marrë peng diplomat e tyre.

Pasojat e kësaj axhende janë tragjike për vendin dhe këtë e tregojnë vetë shifrat e INSTAT:

Nga 2011 në 2023 ka një rënie me mbi 50% të të rinjve në moshën 14-19 vjeç. Ndërkohë ka një rënie me 40% të grupmoshës 20-24 vjeç.

Të rinjtë janë përgjysmuar, të moshuarit nga ana tjetër, janë dyfishuar. Na mungojnë më shume se 500 mijë qytetarë në krahasim me vitin 2011.

Kjo do të thotë më pak fuqi punëtore, dhe më pak fuqi blerëse.

Është një krizë që nuk e zgjidh sezoni turistik, as importi i punëtorëve të huaj.

Humnera demografike drejt të cilës po shkon vendi, nuk shmanget as duke manipuluar shifrat, as duke u shitur shqiptarëve një sukses imagjinar.

Partia e Lirisë e ka luftën kundër shpopullimit të vendit,  prioritetin numër 1, ndër 5 prioritetet e saj.

Me mbështetjen e veçantë  që ne do ti japim çdo fëmije që vjen në jetë, për nënat e reja, gjithashtu çiftet që zgjedhin ta ndërtojnë jetën në Shqipëri, ne do t’i japim vendit një mundësi për t’u ringritur.

Rritja e pagave mbi mesataren e rajonit, dyfishimi i pagave të mësuesve e mjekëve, dyfishimi i pensioneve, investimi në arsim dhe mbështetja direkte, për ta kthyer vendin në një fuqi eksportuese, janë mekanizmat me anë të të cilave, ne do ta luftojmë realisht dhe efektivisht shpopullimin.

Shiptarët sot kërkojnë zgjidhje për këtë keqqeverisje dhe korrupsion galopant, ku e ka zhytur vendin qeveria e inceneratorëve dhe e drejtorëve 5D.

Ndaj Partia e Lirise ka një program të qartë për ta bërë Shqipërinë vendin e mundësive për të gjithë, e jo të mundësive vetëm për oligarkët, dhe klientët pranë qeverisë.