Kreu i Policisë së Shtetit komenton "dështimin" me Durim Bamin dhe vendimin e Spanjës për ekstradimin e Lul Berishës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi sot në një konferencë për mediat se Durim Bami nuk është lënë i lirë në Dubai, por ndodhet në arrest shtëpie.

Sipas tij, për Bamin ka mbaruar afati i qëndrimit në paraburgim, ndaj edhe autoritetet kanë caktuar që ai të lihet në arrest shtëpie, nën mbikëqyrje policore.

Rrumbullaku: “Sa i përket lajmit të raportuar për kemi ndryshim të masës së sigurisë dhe nuk kemi lirim. Nëse doni të keni informacionin e duhur, trokisni në zyrën e medias së policisë së shtetit për të qenë të qartë për gjithçka hidhni për opinionin publik.

Kreu i Policisë së Shtetit komenton "dështimin" me
Ne foto: Durim Bami

Çdo lajm që hidhet nga ju për opinionin publik dëmton hetimet dhe realisht në tërësinë e vetë ne nuk jemi të detyruar të japim informacione për thelbin e hetimeve që lidhen me tagrin e prokurorit.”

Rrumbullaku ka konfirmuar edhe lajmin e publikuar sot për vendimin e Gjykatës Kombëtare në Spanjë që i ka hapur rrugë ekstradimit të Lulzim Berishës në Shqipëri.

Rrumbullaku:Ju konfirmoj faktin që lidhet me njoftimin e bërë në media për sa i përket procesit gjyqësor që zhvillohet në Spanjë, por ju them se jemi në kontakte të drejtpërdrejta që lidhen me ekstradimet jo vetëm të këtij personi por edhe të tjerëve.”

KONFERENCA E RRUMBULLAKUT

Bami, një nga krerët e shtatë bandave të hetuara në dosjen voluminoze të mundësuar falë komunikimeve të kryera në aplikacionin Sky Ecc, u arrestua së fundmi në Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare.

Durim Bami, 45 vjeç akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes të mbetur në tentativë të ish-deputetit Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor 2020.