Bjellorusia lëviz tanket në kufirin me Ukrainën, pas rrëzimit të dronëve

Bjellorusia ka filluar të lëvizë tanke në kufirin e saj me Ukrainën, tha sot Ministria e Mbrojtjes në Minsk, pasi thuhet se ka rrëzuar disa dronë luftarakë ukrainas në hapësirën e saj ajrore.

Ministria publikoi një video në Telegram që tregon tanke duke u ngarkuar në vagonat e transportit hekurudhor.

”Njësitë janë vënë në gatishmëri për të kryer urdhrat”, tha ajo.

Ky eprim vjen pasi presidenti, Alexander Lukashenko urdhëroi përforcimin e trupave në zonat juglindore Gomel dhe Mazyr që kufizojnë Ukrainën, për të qenë në gjendje të reagojnë ndaj provokimeve të mundshme nga vendi fqinj.

Lukashenko tha të shtunën se mbrojtja ajrore e vendit të tij ishte vënë në gatishmëri të plotë pas ndërhyrjes së 10 dronëve ukrainas në pjesën lindore të vendit në zonën Kastsyukovich.

Ai tha se Bjellorusia rrëzoi disa avionë ukrainas, raportuan mediat shtetërore. Ndërhyrja në hapësirën ajrore thuhet se ka ndodhur të premten.

Ministria e Jashtme e cilësoi inkursionin e supozuar si një “përpjekje të rrezikshme për të zgjeruar zonën aktuale të konfliktit në rajonin tonë”.

Lukashenko, i konsideruar si diktatori i fundit i Evropës, është një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës. Në fillim të luftës pothuajse dy vjet e gjysmë më parë, Lukashenko lejoi trupat ruse të hynin në territorin e Bjellorusisë në jug. Nga atje trupat pushtuan Ukrainën veriore.

Ministria e Jashtme në Minsk tha se Bjellorusia do të përdorë të drejtën e saj për vetëmbrojtje dhe do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj çdo provokimi apo akti armiqësor.

Ministri i Mbrojtjes Viktor Khrenin tha të shtunën se ai kishte urdhëruar gjithashtu transferimin e raketave balistike ”Iskander” dhe raketave ”Polonez” në rajon.