“KTHIM NË RRËNJËT TONA”/ Banorët e Rekës së Epërme ruajnë traditën! Lënë amanet dasmën tradicionale të zonës
Edhe pse janë larguar nga vendlindja banorët e Rekës së Epërme nuk e kanë harruar njëri tjetrin. Edhe këtë vit u mblodhën për të festuar e siç thonë ata për të ruajtur traditat dhe kulturën e vendit.
Qindra banorë të Rekës të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare janë kthyer në vendlindje. Takimi i përvitshëm në krahinën malore alpine është kthyer në një traditë.
Pas një dekade, takimet e Rekës së Eperme kanë hyrë në një fazë të dytë, të cilësisë dhe perfeksionizmit ku qëllim është ruajtja e atyre që ju kanë lënë të parët.
Kujdes të veçantë duan tu kushtohet ruajtjes së traditave të dasmës së Rekës së epërme.
Shoqata Kulturore Reka e Epërme bën bashkë jo vetëm banorët e zonës por edhe qindra artistë të ardhur nga Dibra e Madhe, Dibra e vogël, Gostivari e Shkupi.
Pak janë vendas në zonë sepse një pjesë e madhe janë larguar.
Për shkak të migrimit sezonal ose të përhershëm në rajonet e afërta dhe jashtë vendit në kërkim të punësimit dhe për kushte më të mira jetësore, kjo krahinë është ç'populluar shumë me kalimin e kohë ndaj dhe takimet e banorëve çdo vit me njëri tjetrin janë shumë të rëndësishme për të ruajtur gjuhën,kulturën dhe traditat e zonës.
Reka e Epërme cilësohet si rajoni më i madh i Dibrës me shumë nën-rajone të përqendruara rreth qytezës në të dy anët e kufirit shqiptaro-maqedonas.

