Presidencialet në SHBA, Harris dhe Walz mbajnë takimin e parë elektoral së bashku
Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris dhe i zgjedhuri i saj Tim Walz kanë mbajtur takimin e parë elektoral së bashku, me mijëra mbështetës amerikanë.
Walz sulmoi Donald Trump duke pretenduar se do ta kthente SHBA-në prapa, në fjalimin e së martës mbrëma në Filadelfia, disa orë pasi u zgjodh nga Partia Demokratike si kandidat për Zv. President.
60-vjeçari cilësohet si njeri që mund të rifitojë votuesit ruralë dhe të klasës punëtore, dhe përdori karrierën e tij si roje kombëtare dhe mësues, për të theksuar kontrastin me kandidatin republikan.
“Ai nuk e di gjënë e parë për shërbimin, sepse është shumë i zënë duke i shërbyer vetes”, u shpreh Walz, duke shtuar se mezi pret të debatojë me kundërshtarin JD Vance.
Ndërsa Kamala Harris e prezantoi bashkëpunëtorin e saj si luftëtar për klasën e mesme dhe patriot, ajo u shpreh se “janë të pa favorizuar në atë që pritet të jetë një garë e ngushtë, megjithatë kanë vullnet për t’ia dalë mbanë”.
Dyshja demokrate u paraqitën kryesisht si mbrojtës të lirive individuale, duke përfshirë të drejtat e abortit dhe sigurinë nga dhuna me armë.
Harris dhe Walz sapo kanë nisur një turne pesë-ditor në shtetet kryesore të fushëbetejës, ku do të flasin gjithashtu në Konventën Kombëtare Demokratike, e cila zhvillohet nga 19 deri më 22 gusht në Çikago.
Ndërkohë, fushata e Trump-it ishte e shpejtë për ta sulmuar Walz-in si një "ekstremist të rrezikshëm liberal".
Republikanët e kanë kritikuar 60-vjeccarin për mandatin në Minesota dhe mbylljen e bizneseve dhe shkollave gjatë pandemisë Covid-19, si dhe vonesën e tij në vendosjen e Gardës Kombëtare për t'u marrë me trazirat pas vrasjes së George Floyd në vitin 2020.


