Fosilet sugjerojnë se ‘hobbit’ e gjetur në ishullin indonezian, datojnë 700,000 vjet më parë
Njëzet vjet më parë në një ishull indonezian, shkencëtarët zbuluan fosile të një specieje të hershme njerëzore rreth 1.07 metra e lartë, duke u dhënë atyre pseudonimin "hobbits".
Tani një studim i ri sugjeron se paraardhësit e hobitëve ishin edhe pak më të shkurtër, shkruan AP.
"Ne nuk prisnim që do të gjenim individë më të vegjël nga një vend kaq i vjetër," tha në një email bashkëautori i studimit Yousuke Kaifu nga Universiteti i Tokios.
Fosilet origjinale të hobit datojnë midis 60,000 dhe 100,000 vjet më parë. Fosilet e reja u gërmuan në një vend të quajtur Mata Menge, rreth 45 milje nga shpella ku u zbuluan mbetjet e para të hobitit.
Në vitin 2016, studiuesit dyshuan se të afërmit e mëparshëm mund të ishin më të shkurtër se hobitët, pasi studiuan një nofull dhe dhëmbë të mbledhur nga vendi i ri. Analiza e mëtejshme e një fragmenti të vogël kockash të krahut dhe dhëmbëve, sugjeron se paraardhësit ishin vetëm 2,4 inç (6 centimetra) më të shkurtër dhe ekzistonin 700,000 vjet më parë.
"Ata kanë treguar bindshëm se këta ishin individë shumë të vegjël," tha Dean Falk, një antropolog evolucionar në Universitetin Shtetëror të Floridës, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Gjetjet u publikuan të martën në revistën Nature Communications.
Studiuesit kanë debatuar se si hobitët, të quajtur Homo floresiensis sipas ishullit të largët indonezian të Flores, evoluan për të qenë kaq të vegjël dhe ku bien në historinë evolucionare njerëzore. Ata mendohet të jenë ndër speciet e fundit njerëzore të hershme që u zhdukën.
Shkencëtarët nuk e dinë ende nëse hobitët u tkurrën nga një specie më e hershme, më e gjatë njerëzore e quajtur Homo erectus që jetonte në atë zonë, apo nga një paraardhës njerëzor edhe më primitiv. Më shumë kërkime dhe fosile, nevojiten për të përcaktuar vendin e hobitëve në evolucionin njerëzor, tha Matt Tocheri, një antropolog në Universitetin Lakehead të Kanadasë.
“Kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe do të vazhdojë të jetë në qendër të kërkimit për disa kohë në vijim”, tha Tocheri, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, në një email.
