Alvarez i pakënaqur me minutat tek City, Guardiola: Gati ta përqafoj kur të rikthehet

Julian Alvarez është i pakënaqur dhe kërkon më shumë minuta aktivizim te Manchester City, ndërkohë që Arsenali dhe Atletico Madrid po monitorojnë me kujdes situatën e kampionit të botës.

I cili mund të vendosë të largohet nga kampionët e Anglisë, me këta të fundit që e vlerësojnë rreth 100 mln euro kartonin e lojtarit.

Në lidhje me pretendimet e 24-vjeçarit ka reaguar Pep Guardiola, i cili e cilëson sulmuesin si pjesë të rëndësishme të skuadrës së tij për sezonin e ri.

Julian është absolutisht pjesë e jona, nuk ka asgjë të re në lidhje me situatën e tij apo zërat e merkatos. Nuk kam çfarë të shtoj tjetër.

Ai do të rikthehet në ekip, teksa ka besimin tim maksimal. Unë e llogaris pjesë të skuadrës. Le të pushojë pak pas pjesëmarrjes në Olimpiadë me Argjentinën.

Dhe kur të jetë gati do të rikthehet përsëri në bazë. Unë jam gati ta përqafoj kur të rikthehet, gjithashtu do e uroj dhe komplimentoj për fitimin e Kupës së Amerikës”, theksoi tekniku spanjoll.

Fokusi i Manchester Cityt është te derbi i radhës kundër Manchester United. Tashmë për llogari të finales së Superkupës së Anglisë.