IKËN ZJARRI, VIJNË PUSHUESIT/ Në Shëngjin rinis normalisht sezoni, qindra pushues mbushin plazhin
Pas 4 ditësh lufte me flakët në Shëngjin është rikthyer normaliteti. Qindra pushues kanë zgjedhur plazhet e tij në ditën e parë të gushtit. Ndërkohë flakët dogjën një pjesë të ish-repartit ushtarak në Fier.
Shëngjini la pas ditët e vështira të zjarreve që shkaktuan kaos dhe panik. Tanimë ditën e parë të gushtit plazhet atje janë plot.
E gjitha vija bregdetare e Shëngjinit nga Rana e Hedhun deri në Kune është mbushur me pushues.
Pushues e përfaqësues të biznesit thonë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi gjithçka është tejkaluar dhe Shëngjini mbetet një perlë e bregdetit të Adriatikut.
Ndërkohë Ish-reparti ushtarak në kodrat e Mbretit në Fier është përfshirë nga flakët duke krijuar një situatë shqetësuese.
Zjarri nuk kurseu as këtë tank të dalë jashtë funksioni. Forcat zjarrfikëse janë duke punuar për të vënë nën kontroll flakët.

