''Janë lojtarë të mbivlerësuar'', Cassano: Interistët dhe sulmuesit me zero gola morën në qafë… Italinë në Europian

Antonio Cassano nuk i del e keqja nga eliminimi i Italisë në Europian dhe për këtë një pjesë të fajit ia atribuon interistëve.

“Barela në Itali është nga më të mirë, ndërsa në Europë duket si lojtar normal.

Dimarko në Itali pastaj luan mirë, teksa has në vështirësi në Europë, sidomos sa herë shkon në Kupën e Kampioneve.

Barela identik. Ata janë të gjithë lojtarë të mbivlerësuar.

Bastoni ka personalitet dhe luan, por arrin të bëjë diferencën në Itali, por kur duhet të shënojë, të mbrojë, të shikojë dhe situata të tjera, bën vetëm katastrofa.

Për mendimin tim janë lojtarë shumë të mbivlerësuar.

Menaxherët ama i kanë të mirë, fundja ata i çojnë në skuadra me qëllim që të fitojnë para.

Ata ndikuan në ecurinë e dobët të Europianit, po ashtu si dy sulmuesit që qëndruan në zero gola.

Kieza nuk ia doli mirë, është lojtar i fortë në duelet një kundër një, ka cilësi por e ka shkatërruar kush e ka trajnuar vitin e kaluar.

Në Itali nuk kemi lojtarë dhe kombëtarja do të ishte njësoj edhe sikur të merrte Guardiolën”, deklaroi Cassano.