Vëngu merr zyrtarisht detyrën: Ministria e Mbrojtjes, mundësi për kontribut ndaj atdheut

Ministri i ri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka marrë sot zyrtarisht detyrën, pas betimit me dorën mbi Kushtetutën e vendit, para Presidentit të Republikës Bajram Begaj.

Detyra iu dorëzua në një ceremoni të veçantë nga ministri paraardhës i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Gjatë fjalës së tij, ministri i ri, Pirro Vengu, teksa përgëzoi ministrin paraardhës për punën e bërë dhe arritjet në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë u shpreh se, “ministria e Mbrojtjes është një ministri, e cila në zemrën e saj ka padyshim atdheun, detyrën, nderin, vlera këto, të cilat mëshirohen më së miri qoftë në trupën ushtarake, qoftë në atë civile”.

“Këto”, theksoi më tej ministri, “duhet të na bëjnë më të vetëdijshëm për mundësitë që na jepen, për kontributin që duhet të kemi ndaj atdheut, jo vetëm për mbrojtjen e integritetit të tij, por gjithashtu për të kontribuar në elementë që modernizojnë Forcën tonë të Armatosur dhe na bëjnë realisht një pikë referimi në rajon, i cili po njeh kohë më të turbullta se më parë”.

Ministri Vëngu premtoi të vijojë punën e tij me të gjitha energjitë, në funksion të përparësive që ka përcaktuar qeveria shqiptare për FA dhe fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjatë fjalës së tij, ministri Vëngu nënvizoi faktin se, efektivë të shumtë të Forcave të Armatosura janë angazhuar këto ditë në emergjencat civile për shuarjen e zjarreve.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vjen në këtë detyrë si propozim i kryeministrit Edi Rama, pas një eksperience disavjeçare drejtuese.

Ai ka mbajtur deri tani detyrën e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetetit Portual të Durrësit, ndërsa më herët ka patur funksione drejtuese pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pranë Këshillit të Ministrave, ku ka drejtuar për dy vite Departamentin e Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit (DATAK).