“Sky” nxjerr Zarkën në grupin e kultivimit të drogës në Selenicë të Vlorës. Ja kush u arrestua

Një nga çështjet për të cilat është arrestuar drejtuesi i prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, është një procedim penal që lidhet me kultivimin e drogës në Selenicë të Vlorës.

Kjo dosje e hetuar dhe përfaqësuar në gjykatë nga prokurori Aurel Zarka, është tërhequr nga arkiva e prokurorisë, duke u marrë në verifikim nga “Sky”.

Sipas SPAK, ky operacion antidrogë është kryer nga policia dhe prokuroria e Vlorës, ku në 17 Tetor 2019 Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë,reparti “Shqiponja” dhe efektivë të Policisë së Vlorës, kanë finalizuar operacionin “Vjeshta”.

Njeriu që ka ndjekur hetimin e kësaj dosje dhe gjykimin është Aurel Zarka, ku 7 persona janë arrestuar, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Personat e arrestuar në atë kohë ishin lidhje farefisnore me njëri-tjetrin.

Hetimi ka zgjatur 6 muaj, dhe kanë qenë agjentë civilë që kanë hasur tendencën e këtyre personave për të planizuar mbjelljen e kanabisit.

Personat e arrestuar në 2019 janë Mario Veizaj, Romeo Likaj, Cerçiz Velaj,Enton Likaj, Daniel Nikaj, Altin, alias Shkëlzen Veizaj). Gjatë operacionit janë asgjësuar disa parcela me drogë.

Rasti është çuar në gjykatën e Vlorës me disa të pandehur, ku sipas SPAK, në bisedat e kryera në “Sky” është arritur në përfundimin se Aurel Zarka, i ka ndihmuar në disa nga të pandehurit kundrejt pagesës.